Rubin: Nuk u thamë UÇK-së se ishin të paorganizuar, ishte mënyrë diplomatike për të mos i armatosur – Thaçi udhëtoi me mua për në Prishtinë
Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, po vazhdon dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Ai është thirrur si dëshmitar nga ekipi mbrojtës i Hashim Thaçit, ish-udhëheqës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Gjatë seancës së sotme, avokati i Thaçit ka ngritur çështjen e qëndrimit të ShBA-së në…

Lajme
Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, po vazhdon dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Ai është thirrur si dëshmitar nga ekipi mbrojtës i Hashim Thaçit, ish-udhëheqës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Gjatë seancës së sotme, avokati i Thaçit ka ngritur çështjen e qëndrimit të ShBA-së në lidhje me armatosjen e UÇK-së, duke përmendur deklaratat e ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, sipas të cilave qëndrimi amerikan ishte i lidhur me ruajtjen e unitetit të NATO-s, raporton lajmi.net
Rubin, në përgjigje të kësaj, tha se në atë kohë nuk u ishte thënë drejtpërdrejt pjesëtarëve të UÇK-së që ishin të paorganizuar, por kjo ishte një arsye reale pse SHBA-të nuk dëshironin t’i armatosnin.
Megjithatë, për të mos i ofenduar dhe për të ruajtur komunikimin diplomatik, u përdor shpjegimi për “unitetin e NATO-s”.
“Ne nuk donim që t’i tregonim atyre që ishte një organizim i mirë. Arsyeja që nuk duam t’iu armatosem është që duhen vite të tëra të merrni trajtën e duhur të një strukture ushtarake dhe që të merrni armë efektive. Sepse po t’ua thoni një gjë të tillë personave që po luftonin në fushën e betejës për jetët e tyre ishte ofenduese, ishte përulëse. Dhe ndonjëherë t’i përzgjedh një arsye që është më e thjeshtë që të përçohet dhe është më e lehtë për t’u pranuar nga bashkëbiseduesi, se sa t’u thonim troç ‘ne nuk ju japim juve dot armë’ ndërkohë që njerëzit po vdesin sepse ju jeni të paorganizuar. Por nëse do t’ua thonim që ne nuk ua jepnim dotë armët për shkak të unitetit të NATO-s, kjo mund të kishte ndikim. Kjo është mënyrë diplomatike e të thënit të përgjigjes,” përfundoi Rubin.
Ndërkohë, avokati e pyeti Rubinin edhe për momentin e kthimit të Hashim Thaçit në Kosovë.
Rubin tha se ai e kujton momentin e kthimit përmes fluturimit të përbashkët për në Prishtinë, pas nënshkrimit të marrëveshjes së demilitarizimit të UÇK-së.
“Më kujtohet nënshkrimi i marrëveshjes, e kam fjalën për marrëveshjen e demilitarizimit dhe më kujtohet që ai fluturoi drejt Prishtinës me mua atë datë, atë ditë. Megjithatë, se ku ka qenë ai gjatë negociatave, në qoftë se ka qenë në bjeshkë apo në lëvizje, unë këtë gjë nuk e di. Ajo çfarë di unë është se ai m’u bashkua mua dhe ka qenë bashkë me mua në Prishtinë, në shtabin e KFOR-it dhe në konferencën për shtyp. Unë krijova përshtypjen se ai ishte kthyer në Prishtinë, por se cila ka qenë data ose dita se kur ai është kthyer në Prishtinë nuk ua them dot,” tha Rubin para trupit gjykues./Lajmi.net/