RTK pa buxhet për gjashtëmujorin e dytë – Sindikata paralajmëron protestë më 6 gusht

Radiotelevizioni i Kosovës vazhdon të përballet me vështirësi serioze financiare, pasi edhe më 29 korrik 2025, buxheti për gjashtëmujorin e dytë të vitit nuk është ndarë nga institucionet përkatëse. Mosndarja e mjeteve buxhetore po rrezikon funksionimin normal të transmetuesit publik, duke e vendosur RTK-në në një situatë të pasigurt dhe të paprecedent që, sipas Sindikatës…

Lajme

29/07/2025 11:19

Radiotelevizioni i Kosovës vazhdon të përballet me vështirësi serioze financiare, pasi edhe më 29 korrik 2025, buxheti për gjashtëmujorin e dytë të vitit nuk është ndarë nga institucionet përkatëse.

Mosndarja e mjeteve buxhetore po rrezikon funksionimin normal të transmetuesit publik, duke e vendosur RTK-në në një situatë të pasigurt dhe të paprecedent që, sipas Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së (SPERTK), mund të çojë në kolaps total, raporton lajmi.net

Përkundër thirrjeve të përsëritura të SPERTK-së, institucionet përgjegjëse kanë vazhduar me heshtje. Në këtë situatë, Sindikata ka njoftuar organizimin e një proteste më 6 gusht 2025.

Sindikata paralajmëron gjithashtu bojkot të mbulimit të ngjarjeve politike për aq kohë sa zgjat kjo gjendje, si dhe nisjen e procedurave ligjore ndaj akterëve institucionalë që kanë kontribuar në krijimin e saj.

Më poshtë, gjeni postimin e plotë të Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së:

Edhe sot, më 29 korrik 2025, buxheti për gjashtëmujorin e dytë të RTK-së ende nuk është alokuar, duke e vendosur funksionimin e transmetuesit publik në një rrezik real dhe të paprecedent.

Pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK), institucionet përkatëse kanë vazhduar me heshtje dhe neglizhencë, duke lënë punëtorët pa siguri dhe RTK-në në prag të kolapsit total.

📢 SPERTK konfirmon se protesta do të fillojë më 6 gusht 2025.

Kjo protestë do të jetë fillimi i një serie veprimesh sindikale për të mbrojtur punëtorët dhe ekzistencën e RTK-së si aset publik dhe shtetëror.

🔴 Në ditën e protestës do të bëhen publike pikat konkrete të planit të veprimit, të cilat Sindikata do t’i ndjekë me përkushtim në vazhdim.

📺 SPERTK gjithashtu paralajmëron se do të nisë bojkotimin e mbulimit të ngjarjeve politike, për aq kohë sa transmetuesi publik injorohet dhe lihet pa mjete për funksionim.

⚖️ Për të gjithë akterët institucionalë që kanë ndikuar në krijimin e kësaj gjendjeje, Sindikata do të ndërmarrë veprime ligjore për shkelje të ligjit dhe cenim të së drejtës për pagë dhe punë.

🤝 I bëjmë thirrje AGK-së dhe BSPK-së, si dhe të gjitha organizatave sindikale dhe të shoqërisë civile, që të bashkohen me ne në këtë moment kritik, për të mbrojtur të drejtën e informimit dhe ekzistencën e vetme të mediumit publik në Kosovë.

👥 U bëjmë thirrje të gjithë punëtorëve të RTK-së që të jenë të bashkuar dhe të përkrahin protestën me pjesëmarrje aktive dhe të përgjegjshme. Vetëm të bashkuar mund të mbrojmë të drejtat tona dhe të sigurojmë të ardhmen e transmetuesit tonë publik./Lajmi.net/