Rrustemi për shpërthimin në Ibër-Lepenc: Serbia orkestron sulmet, opozita minimizon rastet
Në debatin parlamentar për katërvjetorin e Qeverisë Kurti, deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, ka adresuar çështje të ndjeshme, përfshirë shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin-Potok. Rrustemi e ka cilësuar incidentin si një akt terrorist dhe ka akuzuar disa zëra opozitarë për minimizimin e tij dhe manipulimin e opinionit publik. “Ne si shumicë parlamentare e…
Lajme
Në debatin parlamentar për katërvjetorin e Qeverisë Kurti, deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, ka adresuar çështje të ndjeshme, përfshirë shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin-Potok.
Rrustemi e ka cilësuar incidentin si një akt terrorist dhe ka akuzuar disa zëra opozitarë për minimizimin e tij dhe manipulimin e opinionit publik.
“Ne si shumicë parlamentare e dënojmë këtë akt terrorist. Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për këtë sulm. Është për keqardhje që disa zëra opozitarë kanë zgjedhur ta minimizojnë këtë akt dhe ta manipulojnë opinionin publik, duke tentuar të përfitojnë politikisht nga një situatë tragjike që Serbia orkestron kundër nesh,” ka deklaruar Rrustemi.
Deputeti theksoi se gjatë mandatit të kësaj qeverie është bërë përpjekje e vazhdueshme për të shtrirë sovranitetin e Kosovës në gjithë territorin e saj.
“Ne kemi mbrojtur sovranitetin dhe kemi arritur rezultate të prekshme. Deri para tre vjetësh, atje mund të shkoje vetëm me lejen e Milan Radoiçiqit. Strukturat ilegale nuk ekzistojnë më, targat janë konvertuar dhe flamuri i Kosovës është vendosur në institucionet komunale. Kjo qeveri ka ndërtuar stacione policore në ato zona si asnjëherë më parë. Për këtë arsye po përballemi me sulme nga Serbia. Dikush mund të pyesë pse më parë nuk kishte kësi sulme – sepse atëherë Radoiçiqi kishte kontroll dhe strukturat ilegale funksiononin pa pengesa,” ka theksuar Rrustemi.
Ai e ka cilësuar këtë përpjekje si dëshmi të vendosmërisë së Qeverisë Kurti për të mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e Kosovës, duke u përballur me sfida të shumta nga Serbia.