​Rrustemi del kundër hetimit të kontratave një-burimore: Në Qeverinë Kurti nuk ka korrupsion

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi tha se nuk ka bazë për hetimin e kontratave, gjë të cilën po e kërkon opozita. Sipas tij, partitë opozitare po mundohen që me komisione hetimore të hedhin baltë mbi Qeverinë Kurti. Teksa përmendi shumat e kontratave një-burimore në komunat ku udhëheq opozita, Rrustemi u shpreh se këto parti…

Lajme

28/03/2024 11:38

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi tha se nuk ka bazë për hetimin e kontratave, gjë të cilën po e kërkon opozita.

Sipas tij, partitë opozitare po mundohen që me komisione hetimore të hedhin baltë mbi Qeverinë Kurti. Teksa përmendi shumat e kontratave një-burimore në komunat ku udhëheq opozita, Rrustemi u shpreh se këto parti po mbyllin sytë në institucionet ku qeverisin.

Në seancë të jashtëzakonshme për themelimin e komisionit hetimor për kontratat një-burimore, Rrustemi tha se në këto kontrata nuk ka asgjë të dyshimtë.

“Në këto kontrata nuk ka asgjë të dyshimtë e që duhet hetuar, opozita në mungesë të kauzave dhe përballur me humbjen e besimit tek qytetarët, po mundohet që me komisione të tilla hetimore të hedh baltë mbi çdo gjë dhe mbi gjithë kë. Po mundohet ta kthej kuvendin në organ të akuzës dhe baltosjes. Por ne nuk mund ta lejojmë këtë çoroditje pa dyshim…E kuptoj që shumë nga ju deputetë të opozitës edhe mund të jeni ekspertë të tenderëve, ndoshta edhe të kontratave një-burimore por duhet të bindeni për një gjë: ka ikur koha juaj, në qeverisjen Kurti nuk ka praktika si në kohërat tuaj. Në Qeverinë Kurti nuk ka ministra të korruptuar dhe nuk ka korrupsion. Prandaj mos u përpiqni ta shihni vetën në situata të tilla e në funksione se çfarë do të bënit po të kishit këtë mundësi”, deklaroi Rrustemi në seancë të jashtëzakonshme.

Ai tha se kjo procedurë tenderuese është përdorur shumë në qeverisjet e kaluara.

“Nga viti 2008-2014 qeveria e udhëhequr PDK, 448 milionë euro ka qenë shuma e shpenzuar në kontratat një-burimore. Nga viti 2015-2017, qeveria e udhëhequr nga LDK, 158 milionë euro ka qenë shuma e shpenzuar në kontrata një-burimore. Nga viti 2018-2019, qeveria e udhëhequr nga AAK ka qenë 120 milionë euro shuma e shpenzuar në kontrata një-burimore. Ndërkaq, nëse e krahasojmë ndër vite qoftë në nivel sasior, ashtu edhe financiar, 2008 është viti me më së shumti kontrata një-burimore me gjithsejtë 164 milionë euro apo me rreth 19,86 për qind të totalit të kontratave të nënshkruara. Pastaj viti 2015 me 16, 10 apo 64 milionë euro shuma e shpenzuar në kontrata një-burimore”deklaroi ai.

Në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, Rrustemi shtoi se në komunat ku po udhëheq opozita ka kontrata një-burimore më shumë se në institucionet që po udhëheq pushteti.

“Të marrim shembull Komunën e Mitrovicës e cila që nga marrja e mandatit të kryetarit aktual i ka nënshkruar 11 kontrata në vlerë totale prej 137 mijë euro, po aq sa ka edhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Komuna e Gjakovës me 2,9 milionë euro, e që shuma e tyre është më e madhe se shuma e kontratave të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Pra, të nderuar qytetarë këta i shohin me llupë institucionet që nuk qeverisin, ndërsa mbyllin sytë në komunat ku qeverisin. Edhe pse vlerat e kontratave të tilla siç i prezantova më lartë është dukshëm më e lartë”, shtoi ai.