Rruga në Veternik nuk ka përfunduar zyrtarisht, kompania kërkon edhe 200 mijë euro nga ministria

Ish ministri, Lumir Abdixhiku e përuroi në mars të vitit 2020, por rruga në Veternik të Prishtinës akoma nuk kishte përfunduar.

Lajme

28/06/2021 10:47

Pronarët e kompanisë “Ekskavatori” po kërkojnë para shtesë nga Ministria e Infrastrukturës për projektin që u përurua vitin e kaluar “Zgjerimi i rrugës nacionale N2, segmenti hyrja në qytetin e Prishtinës nga ana e Veternikut, bashkë me urën që i lidhë rrugët nacionale N2 dhe N25.2, me kyçjen e autostradës R7 “Ibrahim Rugova”, shkruan lajmi.net.

Kjo ngase, kompania ka thënë se i kanë dalë punë shtesë. Kërkesa për aprovimin e punëve shtesë është paraqitur në ministri para disa javëve dhe ajo kap shifrën e mbi 200 mijë eurove.

Në Ministrinë e Infrastrukturës nuk kanë dashur të deklarohen se ku kanë dalë punët shtesë dhe nëse ky projekt ka përfunduar në tërësi.

Por, lajmi.net nga burimet e veta ka mësuar se ministria ka formuar një komision për verifikimin e punëve shtesë. Komisioni po kërkon të bëhen disa shpime, pasi ministria po dyshon se projekti nuk është kryer sipas kushteve të kontratës. Dyshimet janë se nuk janë vendosur të gjitha shtresat sipas kontratës.

Ish ministri, Abdxhiku e kishte vizatuar në shkurt të vitit 2020 vendpunishten dhe kishte lajmëruar se ka urdhëruar vëllim të shtuar të punimeve dhe se ato do të përfundojnë pas një muaji. Ndërkohë në muajin mars, Abdixhiku i shpalli punimet e përfunduara.

“Përtej gjendjes së jashtëzakonshme, dua t’i falënderoj punëtorët dhe mbikëqyrësit e vednpunishtes në Veterrnik, të cilët për 30 ditët e shkuara bënë të pamundurën. Kjo gjendje e jashtëzakonshme nuk humb mundin e tyre të jashtëzakonshëm.Është punuar ditën, është punuar natën –edhe në shi. Është punuar mirë nga të gjithë. Qarkullimi në Veterrnik është hapur përfundimisht”, kishte thënë në nder tjera Abdixhiku.

Kosto e këtij projektit është rreth 2.5 milionë euro dhe punimet patën filluar në korrik të vitit 2019. /Lajmi.net/