Rruga e të gjitha qeverive: Kompania punëkryese kërkon 8 milionë euro kompensim

Rruga Mitrovicë-Prishtinë “hëngri” disa qeveri, ajo po vazhdon me probleme të mëdha në qarkullimin e automjeteve.

Lajme

28/11/2021 20:25

Qytetarët vazhdimisht po ankohen për kolona të gjata, sidomos nga qyteti i Vushtrrisë deri tek fshati Stanovc. Në rrugë duke punuar shihen pak punëtorë, e nganjëherë asnjë.

Radhët e gjata të automjeteve po u shkaktojnë nervozizëm dhe vonesa në punë qytetarëve që punojnë në kryeqytet.

Për shkak të shtyrjes së afatit të punimeve, kompania “Pe-vla-ku” nga Shqipëria ka kërkuar që të kompensohet me 8 milionë euro shtesë. Kjo ngase kompania po konsideron që për një periudhë të gjatë ka lënë makinerinë dhe punëtorët në punishte, ndërkohë që Ministria e Infrastrukturës nuk ka krijuar kushte për punë, duke mos kryer me kohë shpronësimet në disa prona.

Si ka mësuar lajmi.net kompania e ka paraqitur kërkesën për kompensim tek donatorët. Kjo, pasi Ministria e Infrastrukturës ka bashkëpunuar me Fondin Saudit për Zhvillim, Fondin OPEC për Zhvillim (OFID)20 si dhe Bankën Islamike për Zhvillim (IDB), për financimin e ndërtimit të pjesës së fundit të kësaj rruge, segmenti Lum i Madh – Mitrovicë. Donatorët nuk e kanë miratuar kërkesën për kompensim.

Lajmi.net që disa javë ka kërkuar një përgjigje nga ministria e Infrastrukturës lidhur më këtë çështje, por kjo ministri nuk është prononcuar, sikundër nuk kanë dashur të tregojnë edhe se kur do të përfundojë ndërtimi i rrugës.

Zgjërimi i rrugës, Prishtinë -Mitrovicë është pasqyra më e keqe se si menaxhohet një projekt i tillë. Punimet në këtë rrugë datojnë nga viti 2009 kur ka filluar puna në segmentin Prishtinë – Milloshevë.

Gjatë këtyre viteve, problemi kryesor që është shfaqur është ai i shpronësimit të parcelave private, pronarët e të cilave kanë kërkuar që të kryhet kompensimi, për të lejuar realizimin e projektit. Gjithashtu, edhe kompanitë ndërtuese kanë pasur kërkesa për përmirësimin e planeve të dorëzuara nga Ministria e Infrastrukturës, pasi që ka pasur mangësi në ato plane, gjë e cila ka shtruar nevojën për punë shtesë, pavarësisht atyre të kontraktuara dhe aneks kontratave.

Në rrugën Prishtinë – Mitrovicë punimet kanë filluar në vitin 2009 – 2010 në segmentin Prishtinë – Udhëkryqi M2-R120 (Milloshevë) dhe punët janë ndarë në dy pjesë. Punët në njërën pjesë kanë përfunduar më 2012, ndërsa në pjesën tjetër ka pasur zvarritje, ndaj punimet janë kryer në vitin 2015.

Segmenti tjetër i kësaj rrugë, Milloshevë – Vushtrri (Lum i Madh) ka filluar të ndërtohet në vitin 2013. Ky segment është ndarë në tri pjesë. Punimet në këtë segment kanë përfunduar në vitin 2015, në fshatin Lum i Madh.

Ministria e Infrastrukturës ka bashkëpunuar me Fondin Saudit për Zhvillim, Fondin OPEC për Zhvillim (OFID)20 si dhe Bankën Islamike për Zhvillim (IDB), për financimin e ndërtimit të pjesës së fundit të kësaj rruge, segmenti Lum i Madh. Marrëveshjet për hua me këto organizata datojnë nga vitet 2013-2014, ndërsa sipas këtyre marrëveshjeve, Qeveria e Kosovës në fillim të vitit 2019 ka nisur me shlyerjen e borxheve ndaj këtyre organizatave. Ndërkohë, punët në këtë segment kanë filluar në qershor të vitit 2018 dhe fillim të vitit 2019,

Të gjitha kontratat e nënshkruara:

Zgjerimi i rrugës nacionale, Segmenti Prishtinë – Udhëkryqi M2-R120 (Milloshevë), Lot 4 -27.07.2009

Zgjerimi i rrugës nacionale, Segmenti Prishtinë – Udhëkryqi M2-R120 (Milloshevë), Lot 5 -2010

Zgjerimi i rrugës nacionale, Milloshevë-Vushtrri, Loti 1- 31.05.2013

Zgjerimi i rrugës nacionale, Milloshevë-Vushtrri, Lot 2 -28.06.2013

Zgjerimi i rrugës nacionale, Milloshevë-Vushtrri, Lot 3 -28.06.2013

Ndërtimi i nënkalimeve në fshatin Stanoc – Lum i Madh, në segmentin Milloshevë – Vushtrri – 07.08.2013

Ndërtimi i rrugës Nadakovc – Smrekonicë, Loti 1 – 19.01.2018

Ndërtimi i rrugës Nadakovc – Smrekonicë, Loti 2 – 05.06.2018

Ndërtimi i rrugës Nadakovc – Smrekonicë, Loti 3 -19.01.2018

Ndërtimi i rrugës Nedakovc – Smerkonicë-Vushtrri, segmenti nga Emona deri te Semafori –

Ndërtimi i rrugës Lum Madh – Gojbulë, Lot 1 -22.03.2019

Ndërtimi i rrugës Gojbulë – Smrekonicë, Lot 2 – Qershor 2018

Ndërtimi i rrugës Smrekonicë – Mitrovicë, Lot 3. /Lajmi.net/