Rruga e Isës të lë në lloç!

Kryeqytetasit e kanë të vështirë të ecin ‘normal’, duke iu ‘falënderuar’ keqqeverisjes së Isa Mustafës dhe mosveprimit të shpejtë të pasardhësit të tij, kryetarit të tanishëm të Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Lajme

12/08/2014 13:39

Shumë nga trotuaret e kryeqytetit, madje edhe ato nëpër rrugët më të frekuentuara, “okupohen’ nga veturat.

Në mungesë të parkingjeve të mjaftueshme, por edhe të neglizhencës së paarsyeshme, policia shpeshherë nuk është në krye të detyrës, duke toleruar vozitësit të parkojnë kudo veturat e tyre, para lokaleve afariste, në oborre të shkollave, përpara spitaleve, qendrave të mjekësive familjare, pothuajse kudo, me përjashtim të hapësirave që ndodhen para objekteve komunale dhe atyre qeveritare.       

Dhe ky problem nuk është i djeshëm, që kur Isa Mustafa dhe shpend Ahmeti kanë filluar të “polemizojnë” përmes Facebook-ut, por që prej 15 vjetësh, dhe që prej atëherë Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila deri para shtatë-tetë muajsh, në vazhdimësi ka udhëhequr me Prishtinën, nuk ka menduar për ndërtimin e parkingjeve të reja si nevojë e domosdoshme për lirimin e trotuareve për këmbësorët. 

Kryetari aktual, Ahmeti, në profilin e tij në Facebook ka edituar ca foto nga Parisi, Lubjana e Berlini, që aty-këtu kanë vendosur pengesa nëpër trotuare, që brenda tyre të mos mund të parkohen veturat.

Por sot këto “shtylla” të vendosura për të ‘mbrojtur’ trotuaret, në disa prej këtyre qyteteve janë më shumë si ‘relikt’, pasi policisë rrugore, e cila ndodhet kudo, i mjafton regjistrimi i veturës për të ardhur gjoba në adresë të shtëpisë, dhe e cila nuk mund të shlyhet pa u paguar brenda afatit ligjor.

E ideja e kryetarit Ahmeti, nuk i ka pëlqyer paraardhësit të tij, Mustafa, i cili ka reaguar po ashtu, përmes Facebook-ut.

“Nuk do të dëshiroja që unë të them çfarë duhet të bëjë apo të mos bëjë udhëheqja e tanishme e Prishtinës. Por dua të shtoj se shumë vite është punuar që të hiqen shtyllat dhe rrethojat nga objektet dhe rrugët e Prishtinës”.

“Do të ishte mirë që Kryetari i Komunës dhe të tjerët të pyesnin se pse janë hequr shtyllat dhe rrethojat, t’i pyesin edhe qytetarët se a preferojnë që këmbësorët të përplasen për shtylla në trotuare, e se a kemi mbërri deri në atë nivel që duhet të mbrohemi me instrumente të tilla. Si qytetar i Prishtinës mendoj se rendi në qytet (kryeqytet) nuk vihet me rrethoja dhe me kuja. Prishtina nuk është burg i askujt”, ka shkruar Mustafa, i cili edhe pse kundër rrethojave, ndërtesën ku ka punuar deri para pak kohësh, Komunën e Prishtinës, e la të rrethuar.

Ahmeti, e ka marrë votën e qytetarëve pikërisht për shkak të keqqeverisjes së Mustafës, është zgjedhur të veprojë në terren më shumë se sa në Facebook, sepse kryeqytetasit, nëse nuk ka zgjidhje tjetër të shpejtë, me siguri mendojnë ndryshe nga ish-kryetari, më mirë të përplasen nëpër shtylla se sa me vetura.