Rron Gjinovci ironizon Albin Kurtin, paralajmëron protestë për të shtunën

Rron Gjinovci së bashku me dhjetëra aktivistë tjerë nga shoqëria civile, kanë thënë se nuk heqin dorë nga protestat, edhe pse organizatorët e deritanishëm të protestave i kanë pezulluar ato me të dhënë dorëheqjen ministri Jabllanoviq.

Lajme

04/02/2015 12:49

Gjinovci në sheshin Skënderbe të mërkurën në ora 12, në kohën kur planifikohej protesta masive e organizuar nga opozita, ka thënë se protestën do ta vazhdojnë kundër situatës ekonomike e politike të krijuar në vend.

“Të shtunën do të mbajmë protestë, që është kundër situatës ekonomike dhe politike të krijuar në vend. Nesër do ta bëjmë një takim prapë publik, për të cilin ju njoftojmë përmes e-mailit, për çka saktësisht njerëzit e marrin vesh cilat do të jenë pikat prej të cilave nuk tërhiqemi qysh janë tërhequr deri tash”.

“Të shtunën në ora 12 është protesta e ardhshme. Ndërsa nesër po e lëmë të takohemi prapë në ora 12 për të folur me qytetarët”, tha Gjinovci.

Ndryshe, ai ka ironizuar kreun e Vetëvendosjes duke bërë një të ashtuquajtur votim formal me të pranishmit, ku i ka kërkuar të ngrenë duart atyre që pajtohen me ditën e orën e protestimit, ashtu siç kishte bërë Albin Kurti gjatë protestës së parafundit.