Rrogat rriten nga muaji prill

Kryeministri Hashim Thaçi ka ngarkuar Ministrin Beqaj ta përgatisë një plan për rritjen e pagave për kategoritë e buxhetorëve. Plani duhet t’i prezantohet qeverisë në mbledhjen e ardhshme, ndërsa rritja e pagave duhet të hyjë në fuqi në prill të këtij viti.

Lajme

19/02/2014 14:15

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ngarkuar Ministrin e Financave, Besim Beqaj, që ta përgatisë një plan për rritjen e pagave për kategoritë e punëtorëve kosovarë që paguhen nga buxheti i Kosovës dhe t’ia prezantojë atë qeverisë në mbledhjen e ardhshme.

Thaçi ka thënë sot se vendimi për rritjen e pagave duhet të hyjë në fuqi që nga prilli i këtij viti.

“Nga niveli i rajonit të lëvizim drejt që një shkalle më të avancuar drejt arritjes së standardit të vendeve të Bashkimit Europian prandaj ftoj Ministrin e Financave, Beqaj, që ta përgatisë vendimin për rritje të pagave për të gjitha kategoritë të punëtorëve kosovarë duke filluar nga muaji prill i këtij viti. Ta përgatisni për mbledhjen e ardhshme të Qeverisë”, ka thënë Kryeministri Thaçi në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës.