Rrjeti i Grave reagon për dhunimin e 14 vjeçares në Prishtinë: Organet e drejtësisë të veprojnë me vendosmëri dhe urgjencë
Rrjeti i Grave të Kosovës reagon pas raportimeve për dhunimin e një 14 vjeçare në Prishtinë. RrGK përmes një komunikate për media ka shkruar se kjo është shkelje e rëndë e të drejtave por edhe dinjitetit njerëzor, e për më tepër duhet të jetë thirrje urgjente për veprim nga të gjitha institucionet dhe shoqëria jonë.…
Lajme
Rrjeti i Grave të Kosovës reagon pas raportimeve për dhunimin e një 14 vjeçare në Prishtinë.
RrGK përmes një komunikate për media ka shkruar se kjo është shkelje e rëndë e të drejtave por edhe dinjitetit njerëzor, e për më tepër duhet të jetë thirrje urgjente për veprim nga të gjitha institucionet dhe shoqëria jonë.
‘Ne nuk duhet të lejojmë që këto akte të ndodhin në vendin tonë. Prandaj, RrGK i bën thirrje organeve të drejtësisë që të veprojnë me vendosmëri dhe urgjencë, duke siguruar hetime të hollësishme dhe të shpejta për zbardhjen e plotë të rastit dhe për ndëshkimin maksimal të kryerësve, në përputhje me ligjin. Ky rast duhet të shërbejë si një paralajmërim i qartë për të gjithë, se dhuna ndaj të miturve nuk do të tolerohet kurrsesi, sikurse asnjë formë tjetër e dhunës. RrGK po ashtu kërkon që institucionet të tregojnë ndjeshmëri të lartë ndaj viktimës dhe të ofrojnë mbështetje të plotë për të dhe familjen e saj, duke garantuar siguri dhe përkujdesje – gjithashtu, drejtësia të jetë e pakompromis dhe e menjëhershme. Po ashtu, është urgjente që të angazhohen në përmirësimin e masave mbrojtëse për të miturit, për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla. RrGK do të monitorojë reagimin institucional ndaj këtij dhe çdo rasti tjetër të dhunës me bazë gjinore. Rrjeti është i gatshëm për të ofruar mbështetje përmes këshillimit ligjor falas dhe referimit tek institucionet përkatëse”, thuhet në komunikatë. /Lajmi.net/