Rrjedhja e madhe e ujit në vendpunishte te ura në Mitrovicë, Mujka: Nuk është nga dora e njeriut, po rritje e papritur e nivelit
Një ngritje e papritur e nivelit të ujit në lumin Ibër mbrëmjen e kaluar ka shkaktuar dëme materiale në punishten e urës së re që po ndërtohet te “tre rrokaqiejt” në Mitrovicë. Lajmin e ka konfirmuar kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes publike “Ibër Lepenc”, Faruk Mujka, i cili ka bërë të ditur se ngritja e nivelit…
Lajme
Një ngritje e papritur e nivelit të ujit në lumin Ibër mbrëmjen e kaluar ka shkaktuar dëme materiale në punishten e urës së re që po ndërtohet te “tre rrokaqiejt” në Mitrovicë.
Lajmin e ka konfirmuar kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes publike “Ibër Lepenc”, Faruk Mujka, i cili ka bërë të ditur se ngritja e nivelit të ujit ka ardhur si pasojë e sasisë së madhe të reshjeve ditëve të fundit dhe lirimit të ujit nga diga e Pridvoricës në Zubin Potok, për shkak të nevojës për menaxhimin e ujit të tepërt.
“Kemi pasur një rritje të papritur të nivelit të ujit në lumin Ibër, që ka shkaktuar disa dëme materiale. Shkaku i ngritjes është sasia e madhe e ujit në digën e Pridvoricës dhe reshjet e shumta në pjesën e epërme të lumit,” ka sqaruar Mujka.
Ai theksoi se asnjë dorë njeriu nuk ka qenë shkaktare e dëmit, përkundrazi, ekipet kanë punuar për ta minimizuar dëmin dhe për të kontrolluar situatën sa më shpejt.
“Me rëndësi është se konstruksioni i urës nuk është rrezikuar. Dëmi është minimizuar dhe situata është nën kontroll”, ka shtuar ai.
Mujka theksoi se niveli i ujit është stabilizuar brenda ditës, ndërsa punimet për sanimin e kanalit kryesor po vazhdojnë. Ai u bëri thirrje qytetarëve që rasti të mos keqpërdoret për qëllime politike, duke sqaruar se çdo veprim i ndërmarrë ka qenë teknik dhe profesional.
“Ky rast të mos përdoret për qëllime politike apo elektorale, sepse nuk ka fare të bëjë me to. Kemi qenë të përkushtuar vetëm për menaxhimin teknik dhe sigurinë e infrastrukturës,” ka deklaruar kryeshefi i “Ibër Lepencit”./Lajmi.net/