​Rritjen e pagës minimale në 500 euro Murati e quante “tallje me qytetarët”

Rritjen e pagës minimale në 500 euro, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati dikur jo fort moti e ka quajtur “tallje”, ndërsa sot propozoi që me projektbuxhetin e vitit 2026 kjo pagë të bëhet 500 euro. Kujtojmë se më 29 maj 2023, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje në atë kohë, Eman Rrahmani, pati propozuar amendamentin…

Lajme

31/10/2025 15:52

Rritjen e pagës minimale në 500 euro, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati dikur jo fort moti e ka quajtur “tallje”, ndërsa sot propozoi që me projektbuxhetin e vitit 2026 kjo pagë të bëhet 500 euro.

Kujtojmë se më 29 maj 2023, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje në atë kohë, Eman Rrahmani, pati propozuar amendamentin që paga minimale të betë 450 euro për vitin 2023 dhe në vitin 2024 të arrin në 500 euro.

Gjatë shqyrtimit të pagës minimale në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, ky amendament mori mbështetjen e Komisionit, por u kundërshtua nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati duke e quajtur këtë “tallëse me qytetarët”.

“Këtu sapo u bë një tallje me qytetarë. Qytetarët duhet të dinë, sepse ky lajmë tashmë publikohet, por qytetarët duhet ta dinë që kjo nuk do të bëhet, paga minimale. Pra, edhe këta që votuan për e dinë që kjo s’do të bëhet, sepse kemi të bëjmë me një nivel që është mbi nivelin mesatar. Kjo s’ka ndodhur askund në botë. Qytetarët duhet ta dinë që propozimet e tilla janë tallëse me qytetarët, krijojnë shpresa të rreme, janë tallëse për qytetarët”, tha Murati.

Ndërsa, dje pas një takimi konsultues me dhomat ekonomike, me përfaqësues të sindikatave të punëtorëve të sektorit privat në kuadër të dialogut social për çështjen e rritjes së pagës minimale, tha se njëkohësisht rritja e saj duhet të marrë parasysh kushtet e tregut dhe kapacitetin absorbues të ndërmarrjeve.

Kurse, sot në mbledhjen e Qeverisë në detyrë, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati para votimit të propozimit për rritje të pagës minimale, tha se nga janari i vitit 2026 paga minimale do të jetë 425 euro, ndërkohë nga korriku i vitit 2026 paga minimale do të bëhet 500 euro.

“Propozimi ynë është që paga minimale për vitin e ardhshëm të bëhet 500 euro, apo 3 euro për orë pune. Gjithsesi, që kjo rritje të jetë e përballueshme edhe për ndërmarrjet dhe të mund të planifikojnë më lehtë gjatë vitit, rritjen e kemi planifikuar të jetë në dy faza. Ngjashëm siç e kemi pasur rritjen në pagat e sektorit publik në dy faza”, theksoi Murati.

Aktualisht paga minimale në vendin tonë është 350 euro bruto. Kjo rritje u bë në gusht të vitit të kaluar, disa ditë pasi hyri në fuqi Ligji për pagën minimale, i cili parashihte një rritje të pagës minimale në 264 euro bruto. Deri në fuqizimin e Ligjit të ri, paga minimale në Kosovë ishte 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për punëtorët deri në 65 vjeç.

Ndërsa, më 26 tetor kryeministri në detyrë Albin Kurti në seancën e jashtëzakonshme ku dështoi formimi i qeverisë së re, përmendi edhe rritjen e pagës minimale në 500.