Rritje enorme e prezencës dhe përdorimit të drogave në Kosovë – si dhe pse?

21:05 | 6 Korrik 2019

Drogat janë fenomen jo i rrallë në Kosovë.

Kosova për shkak të pozitës së saj gjeografike shumë shpesh përdoret edhe si vend transit për transportimin e drogave nga një shtet në shtetin tjetër, raste këto të shpeshta kur policia ka konfiskuar sasi të mëdha të narkotikëve, shkruan lajmi.net.

Por, sipas statistikave nga Policia e Kosovës, përveç rasteve të trafikimit me droga në Kosovë ka pasur edhe rritje të përdorimit dhe posedimit të drogave.

Në vitin 2013, në Kosovë policia kishte hasur në 513 raste të drogës, me ç’rast ishin të dyshuar 756 persona, 119 prej tyre për trafikim, 428 për posedim e 31 për kultivim, përcjell lajmi.net.

Por këto shifra janë rritur ndër vite me shpejtësi të madhe. Në vitin 2014, rastet e hasjes së drogave ishin 640 prej ku të si të dyshuar u kapën 841 persona, 139 prej tyre për trafikim, 373 për posedim, ndërsa numri i kultivuesve u rrit në 58 persona.

Viti 2016 pësoi rritje drastike. 888 raste të drogave e prej tyre 1166 persona të dyshuar, ku përveç numrit të trafikantëve (198) dhe të poseduesve (799), u rrit në mënyrë drastike numri i kultivuesve në 85 persona.

Ndërsa vitin e kaluar, krahasuar me vitin 2016 ka pasur një rritje prej më shumë se 100 për qind të rasteve të drogave (1866), ku si të dyshuar janë identifikuar 2311 persona, 283 prej të cilëve për trafikim, 1574 për posedim e 18 të tjerë për kultivim.

Shih tabelën numër 1:

Ndërsa sa i përket llojit droga më e shpeshtë që haset është marijuana, ku shifrat ndër vite kanë pësuar rritje nga 580 kilogramë të kapura në vitin 2013, në 1908 në vitin 2017, por me një rënie në vitin 2018 (987 kilogramë).

Por edhe drogat e tjera si heroina janë të pranishme në shtetin tonë, derisa në vitin 2013 nga Policia e Kosovës janë kapur 22 kilogramë heroinë, vitin e kaluar janë kapur 119.

Përqindjen më të vogël të pranisë në Kosovë e ka droga e njohur si Hashah, ndërsa nuk mungojnë as kokaina e ekstazia.

Vitin e kaluar në Kosovë janë kapur 1718.77 gram kokainë, ndërsa 478,58 gram ekstazi.

Shih tabelën numër 2:

Pse kjo rritje e fenomenit të drogave në Kosovë?

Sociologu Ferdi Kamberi e ka një sqarim për këtë. Ai duke folur për lajmi.net është shprehur se shoqëria bashkëkohore është duke u ballafaquar me probleme të theksuara ndaj të cilave shoqëria kosovare nuk është imune.

Ai ka thënë se përdoruesit më të mëdhenj janë kryesisht moshat e reja dhe kjo vërehet edhe në vëzhgime të thjeshta në terren sipas tij që ndodhin për arsye si kureshtja, argëtimi, shmangia nga problemet ditore ose konfliktet ndër personale, ndikimi i grupmoshave (pasi që grupmoshat kanë ndikim jashtëzakonisht të lartë tek njëri tjetri.

“Shoqëria bashkëkohore është duke u ballafaquar me shumë probleme të theksuara, përfshirë këtu edhe përdorimin e drogave, sidomos nga moshat e reja. Në këtë kontekst, edhe shoqëria kosovare si pjesë e shoqërisë bashkëkohore ka disa probleme të theksuara sidomos me sjelljet devijante dhe përdorimin e narkomanisë. Si fenomen shoqëror, narkomania është bërë problem i madh i shoqërisë kosovare, edhe pse daton qysh herët si dukuri, mirëpo pas luftës është bërë një çështje që duhet të përfshijë të gjithë akterët (institucionet publike, mediet, shoqërinë civile, këshillat e prindërve, shkollat, etj), për shkak se atakon drejtpërdrejtë moshat e reja të cilat janë e ardhmja e shoqërisë. Hulumtimet nga ana e Labirintit tregojnë se janë mbi 25 mijë përdorues pasiv të drogave, ndoshta edhe më shumë, gjë që paraqet një shqetësim serioz për shoqërinë kosovare. Vlen të theksohet se përdoruesit më të mëdhenj janë kryesisht moshat e reja (te të dy gjinitë) e sidomos adoleshentët. Po të referohemi vetëm një vëzhgimi të thjeshtë në terren, do të shohim se një pjesë e lagjeve të kryeqytetit ka grupe të të rinjve të cilët grupohen dhe argëtohen me narkotikë, sa që shpesh tek qytetarët mund edhe të krijohet një lloj pasigurie sociale në grupi i tyre. Sociologët janë të mendimit se disa nga shkaqet e përdorimit kaq të madh të narkotikëve në Kosovë janë: kureshtja, argëtimi, shmangia nga problemet ditore ose konfliktet ndër personale, ndikimi i grupmoshave (pasi që grupmoshat kanë ndikim jashtëzakonisht të lartë tek njëri tjetri), pastaj faktorët tjerë, si:  dobësimi i rolit të familjes dhe zbehja e raporteve në mes të prindërve dhe fëmijëve, mungesa e një kontakti pragmatik prind-fëmijë (mos vëmendja e prindërve ndaj fëmijëve) dhe shkollë, mungesa e programeve adekuate nëpër shkolla, roli mediave nacionale dhe nevoja për më shumë programe lidhur më këtë fenomen, pastaj shkaqet ekonomike – sociale, papunësia, varfëria, faktorët individual si dhe shumë faktorë tjerë. Nëse nuk merren masa preventive, atëherë pasojat do të jenë serioze të cilat apriori do të reflektojnë në familje dhe në shoqëri!”, tha sociologu Kamberi për lajmi.net.

Si mund të ndikohet në vetëdijesimin e njerëzve për drogat dhe çfarë strategjie duhet të përdoret në këtë pikë?

Sociologu Ferdi Kamberi për lajmi.net është shprehur se është e nevojshme të jetë roli i prindit më praktik në raport me fëmijët e tyre.

Si hap të dytë, sociologu e sheh vetëdijesimin më të gjerë lidhur me këto dukuri negative dhe hartimin e projekteve konkrete e zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme sensibilizuese e vetëdijësuese.

“Përdorimi i drogave është një fenomen që duhet analizuar më shumë dhe për minimizimin e tij duhet kontribuar edhe akterë tjerë. Prandaj, është mese e nevojshme që në këtë drejtim roli i prindit të jetë më praktik dhe të zhvillojë komunikime/biseda më shumë me fëmijët e tyre, t’ju kushtojë vëmendje më të madhe se sa deri më tani, sepse gjatë shumë bisedave me prindër, pjesa më e madhe e tyre ankohen se nuk kanë kohë për t’ju kushtuar fëmijëve, andaj në këtë segment çështja e komunikimit dhe vëmendja ndaj fëmijëve konsideroj se është hapi primar. Si hap tjetër, duhet një vetëdijesim më i gjerë  lidhur me këtë dukuri negative, hartimi i projekteve konkrete nga organet përgjegjëse, në mënyrë që të rinjve t’u mundësohen kushte më të mira për zhvillimin e aktiviteteve në mënyrë që të shmangen kësaj dukurie. Media duhet të ketë një rol më konstruktiv dhe të krijojë programe më shumë për këtë dukuri, duke ftuar ekspertë, sociolog, psikolog dhe akterë të tjerë në emisione/programe me qëllim të sensibilizimit dhe ngritjes së një vetëdije më të lartë. Gjithashtu, është e nevojshme që shkollat të kenë një rol më të madh së bashku me policinë e Kosovës në edukimin dhe sensibilizimin e nxënësve, etj.”, tha Kamberi për lajmi.net.

Kohëve të fundit, shpesh kemi hasur edhe në debatin për legalizimin e marijuanës në Kosovë për qëllime rekreative dhe dekriminalizimin për arsye mjekësore por kjo si duket nuk është as afër dhe as nuk ka kushte të ndodh.

Numri i përdoruesve të drogave sipas statistikave në Kosovë është rritur jashtëzakonisht shumë në Kosovë dhe kjo mund të vërehet edhe nga statistikat e policisë të paraqitura më lart. /N.S/Lajmi.net/