Rritje e rasteve të dhunës në familje dhe incidenteve të dhunshme brenda 24 orëve
Raporti 24-orësh i Policisë së Kosovës ka evidentuar disa raste të dhunës në familje dhe incidente të tjera të dhunshme në komuna të ndryshme të vendit. Sipas policisë, raste të dhunës në familje janë raportuar në Obiliq, Prishtinë, Pejë, Istog, Vushtrri dhe Mitrovicë të Veriut. Në shumicën e rasteve, viktima kanë qenë gra, të cilat…
Lajme
Raporti 24-orësh i Policisë së Kosovës ka evidentuar disa raste të dhunës në familje dhe incidente të tjera të dhunshme në komuna të ndryshme të vendit.
Sipas policisë, raste të dhunës në familje janë raportuar në Obiliq, Prishtinë, Pejë, Istog, Vushtrri dhe Mitrovicë të Veriut. Në shumicën e rasteve, viktima kanë qenë gra, të cilat kanë raportuar se janë dhunuar nga bashkëshortët e tyre.
Në disa raste, palët janë shoqëruar në stacionet policore për intervistim dhe më pas janë liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit, ndërsa në raste të tjera të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Ndërkaq, në një rast të raportuar në Prishtinë, përveç dyshimeve për dhunë në familje, policia ka gjetur dhe sekuestruar një sasi të substancës së dyshuar narkotike, e cila dyshohet të jetë kokainë. I dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Përveç rasteve të dhunës në familje, raporti policor përfshin edhe incidente të tjera të dhunshme. Në Pejë janë arrestuar katër persona pas një përleshjeje fizike, ku tre prej tyre kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe kanë marrë trajtim mjekësor. Me vendim të prokurorit, tre nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Një rast tjetër rrahjeje është raportuar edhe në Zubin Potok, ku si pasojë e konfliktit një person ka pësuar lëndime të lehta trupore.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të gjitha rastet janë duke u trajtuar nga njësitet përkatëse dhe se veprimet hetimore po vazhdojnë. /Lajmi.net/