Rritja e krimit në Kosovë, rezultat i kushteve të rënda ekonomike

Kosova është shndërruar në çerdhe të grabitësve muajt e fundit. Grabitjet me armë kanë terrorizuar punonjësit dhe klientët e bankave dhe të marketeve,

Lajme

05/01/2019 20:58

Gjatë javës që lamë pas, gjatë përpjekjeve për të plaçkitur një bankë në Istog, një i dyshuar për grabitje dhe një polic i Kosovës humbën jetën gjatë një përplasjeje me arë.

Një ditë më pas grabitësit e maskuar grabitën një bankë në Fushë Kosovë, derisa gjatë ditëve në vijim për çdo ditë është evidentuar plaçkitje e armatosur kryesisht nëpër qendra tregtare në Prishtinë, por edhe në qytetet tjera të Kosovës. Sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Kosovës, gjatë 11 muajve të parë të vitit 2017 javë evidentuar 263 raste të grabitjeve

Sociologu Genc Xërxa ka thënë për “Zërin” se rritja e numrit të grabitjeve në vend është rezultat i kushteve të rënda ekonomike, ku sipas tij disa persona gjejnë rrugën e tillë jashtëligjore për të arritur te mjetet e caktuara materiale.

Xërxa ka thënë se raste të tilla krijojnë panik dhe pasiguri te qytetarët.

“Te qytetarët raste të tilla krijojnë mjaft panik dhe pasiguri e të mos flasim tek ata që për një kohë të caktuar kanë qenë cak i sulmeve të drejtpërdrejta, duke e pasur edhe jetën në rrezik. Rastet e tilla ndikojnë në psikologjinë e tyre, duke i bërë më të traumatizuar dhe duke u ndier të pasigurt në orarin e tyre të rregullt të punës. Disa persona nga presioni psikologjik mund edhe ta lënë punën, duke u ndier të pasigurt dhe në rrezik për të punuar, sidomos ata që e kanë orarin e natës si punë të rregullt”, ka thënë ai.

Sipas tij, duhet të merren masa që të parandalohen vepra të tilla penale.

“Këto akte ose fenomene në rritje janë mjaft alarmuese dhe duhet shteti të ndërmarrë masa si në aspektin e sigurisë për të mbrojtur pasurinë dhe qytetarët, po ashtu edhe të krijojë politika stimuluese ekonomike që të përmirësojë mirëqenien e qytetarëve, që të parandalojë fenomene të tilla, që mos të shtyhen në rrugë të tilla kriminale për të arritur deri te mirëqenia e tyre, duke rrezikuar edhe jetën e qytetarëve ose të punonjësve të pafajshëm, që bëhen cak i grabitjeve të tilla”, ka shtuar ai.