Rritja e çmimeve në prag të festave, e padrejtë

14:42 | 27 Korrik 2014

Foto: Ilustrim

Është bërë trend që në prag të festave, në Kosovë të ngriten çmimet e produkteve të ndryshme.

Të hënën besimtarët myslimanë festojnë festën e Fitër Bajramit dhe çmimet tashmë kanë shënuar rritje. Kosova nuk ka ndonjë mekanizëm që e rregullon tregun e çmimeve. Në mungesë të këtij mekanizimi, përfaqësues të organizatave për mbrojtjen e konsumatorit, thonë se tregtarëve iu krijohet hapësira që të bëjnë ngritje të çmimeve pa u penguar nga askush.

Kryetari i Organizatës Joqeveritare Konsumatori, Selatin Kaçaniku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se tregtarët zakonisht për festa po bëjnë ngritje të çmimeve, derisa, sipas tij, duhej të ndodhte e kundërta.

“Te ne është bërë traditë që në vigjilje të festave të ngrihen çmimet, fatmirësisht këto ditë kam parë që ka pasur diku ulje reale të disa çmimeve, e cila gjithsesi është bërë për të shfrytëzuar konsumatorin që të blejë edhe artikuj të tjerë”, thotë Kaçaniku.

Autoritetet e Kosovës, shton Kaçaniku, nuk duhet të arsyetohen me atë se në Kosova ka ekonomi të lirë të tregut dhe tregtarët mund t’i ngrenë çmimet për konsumatorët, kurse institucionet shtetërore nuk mund ta pengojnë një gjë të tillë.

“Ne, për fat të keq, për mungesë të aktiviteteve të mjaftueshme të institucioneve të mekanizmave të shtetit, nuk kemi arritur akoma të përcjellim edhe këtë aspekt. Shteti arsyetohet se kemi ekonomi të tregut të lirë dhe se tregu i tillë vepruaka si rregullator, ne themi se Kosova nuk ka akoma treg vendor dhe nuk ka as treg të lirë”, vlerëson Kaçaniku.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, indeksi i tërësishëm i çmimeve të konsumit në Kosovë është më i lartë për 0.1 për qind në muajin  qershor 2014, krahasuar me muajin maj 2014.

Shkalla e inflacionit e matur në muajin qershor 2014, me muajin qershor 2013, ishte 0.4 për qind.