Rritja e buxhetit për shëndetësi, opozita thotë se është e pamjaftueshme

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, po shqyrton Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025. Me këtë rast, deputetë të partive opozitare kanë thënë se qeveria gjatë vitit të ardhshëm nuk ka paraparë projekte të cilat do të përmirësonin gjendjen në shëndetësi. Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu deklaroi se…

Lajme

14/11/2024 12:32

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, po shqyrton Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025.

Me këtë rast, deputetë të partive opozitare kanë thënë se qeveria gjatë vitit të ardhshëm nuk ka paraparë projekte të cilat do të përmirësonin gjendjen në shëndetësi.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu deklaroi se me 990 mijë euro të parapara për projekte të reja, nuk mund të reformohet sektori i shëndetësisë.

“Ky projekt tregon dështimin katër vjeçar të qeverisë. Miratohet edhe buxheti i pestë nga kjo qeveri. Këto pesë buxhete miratohen pa pasur një strategji të shëndetësisë. Nuk ka SISH (Sistem Informativ Shëndetësor), nuk ka sigurime shëndetësore. Si mund ta reformojmë sektorin e shëndetësisë kur për projekte të reja janë 990 mijë euro? Nuk trajtohen problemet e punëtorëve shëndetësore, stafit mbështetës, e punëtorëve teknik”, tha ai.

Mirëpo kryetarja e komisionit, deputetja e LVV-së, Fatmire Kollçaku, theksoi se e rëndësishme është që të kryhen projektet që janë nisur.

Ajo shtoi se në QKUK dhe spitale rajonale është bërë transformim gjatë qeverisjes Kurti.

“Këto që janë bërë duhet të kryhen. Duhet të vendoset një logjikë që qeveritë të vazhdojnë t’i kryejnë projektet. Nëse keni menduar që ne duhet të bëjmë investime kapitale të reja, ne e kemi synim t’i kryejmë ato që kanë nisur. Kemi rritje të buxhetit, rritje për listën esenciale, rritje për fondin për trajtim jashtë vendit. Kushdo që e frekuenton QKUK-në dhe spitalet e vërejnë transformimim që është bërë”, deklaroi ajo.

Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, tha se me buxhetin e paraparë për shëndetësi për 2025-tën, gjendja në këtë sektor nuk do të përmirësohet.

“Ky është buxhet i fukarallëkut në veçanti për shëndetësi dhe arsim. A mund të presim përmirësim të gjendjes së shëndetësisë? Ju them që jo. Secila prej shteteve të rajonit dyfishin e GDP-së e kanë të ndarë për shëndetësi. Mos të flasim për pakënaqësitë e mjekëve, ikjen e stafit nga sektori publik në privat e jashtë vendit. Ky buxhet është dashur të adresojë problemet e evidentuar deri më sot. Shëndetësia duhet të jetë prioritet i këtij vendi. Sigurimet shëndetësore as nuk janë të parapara me këtë projekt”, tha ai.

Por, sipas Haxhi Avdylit nga Lista Guxo, buxheti i 2025-së do të ndihmojë në zbutjen e shkallës së varfërisë në Kosovë.

“Ky buxhet ka adresuar të gjitha kërkesat e qytetarëve, veçanërisht në skemën e mirëqenies sociale. Rritjet që janë paraparë në paga, pensione, përkrahja ndaj lehonave, fëmijëve e kategorive të ndryshme të anashkaluara, krijojnë një shoqëri sociale dhe kjo është për tu përshëndetur. Kjo do të përmirësojë gjendjen e familjeve dhe do të rrisë fuqinë blerëse”, shtoi ai.

Tonet e zërit u rritën, teksa u fol për pagat e punëtorëve shëndetësorë.

Deputetë të pozitës thanë se gjatë qeverisë Kurti janë rritur pagat e stafit shëndetësorë, teksa nga opozita theksuan se rritja e bërë është e pamjaftueshme.