Rritet numri i të lënduarve nga tragjedia në Koçan, 98 pacientë po trajtohen në klinikat e RMV-së
Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se është rritur numri i të shtruarve në klinikat e vendit. Gjithsej 98 pacientë po trajtohen në vend, prej tyre 52 janë në klinikën “Nënë Tereza”, në Klinikën “8 Shtatori”, 17 pacientë, në “Shën Naum i Ohrit”, 12 pacientë, në Klinikën e Toksikologjisë 10 pacientë dhe…

Lajme
Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se është rritur numri i të shtruarve në klinikat e vendit. Gjithsej 98 pacientë po trajtohen në vend, prej tyre 52 janë në klinikën “Nënë Tereza”, në Klinikën “8 Shtatori”, 17 pacientë, në “Shën Naum i Ohrit”, 12 pacientë, në Klinikën e Toksikologjisë 10 pacientë dhe në Axhibadem Sisitina ndodhen 7 pacientë.
Në orët e para të mëngjesit janë paraqitur edhe 20 pacientë të rinj tre prej të cilëve janë zjarrfikës.
Andon Çibishev, mjek në toksikologji thotë se katër pacientët që janë në klinikën e tyre ende janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Ndërsa për të tjerët druan se ditëve në vijim mund të kenë komplikime për shkak të lëndimeve të rënda.
“Nga pacientët e mbetur në Klinikën e Toksikologjisë 13 gjithsej, për 4 pacientë nuk jemi të kënaqur nga gjendja e tyre pra nuk janë në gjendje të qëndrueshme, të tjerët janë stabil. Por, duke qenë se bëhet fjalë për djegie të rrugëve të sipërme respiratore dhe helmim akut të rëndë me gazra të dëmshëm, veçanërisht monoksid karboni, presim që në ditët në vijim të ketë komplikime”, deklaroi Andon Çibishev.
76 pacientët që ndodhen jashtë shtetit janë në gjendje qëndrueshme, megjithatë ende nuk janë jashtë rrezikut për jetë. /Alsat.mk