Rritet numri i të infektuarve me HIV/AIDS në Kosovë

Dita Botërore e Luftës Kundër AIDS-it, e cila shënohet çdo 1 dhjetor, e gjen Kosovën sivjet me tetë raste të reja të të infektuarve me këtë sëmundje.

Lajme

01/12/2021 08:04

Shifra flet për rritje të rasteve krahasuar me vitin e kaluar, gjatë të cilit u regjistruan dy.

Në vitin 2019, ndërkaq, u shënuan gjashtë raste të reja.

AIDS-in e shkakton virusi HIV, i cili e dëmton sistemin imunitar të njeriut, duke e lënë atë të ekspozuar ndaj infeksioneve të rënda.

Shefi i Repartit për HIV brenda Klinikës Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Murat Mehmeti, thotë se, aktualisht, të gjitha rastet me HIV pozitiv janë duke u trajtuar në kushte shtëpie, pasi, sipas tij, ato nuk kanë nevojë për hospitalizim.

“Në vitin 2021 i kemi tetë raste të reja. Me këto tetë raste të reja, i kemi diku 41 raste [me HIV] që i kemi për momentin nën trajtim”, thotë Mehmeti.

Numrin e rasteve të reja në këtë vit e konfirmon edhe shefja e Njësisë së HIV/AIDS-it në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Luljeta Gashi.

“Aq janë. Pra, tetë raste [të reja] ka Klinika Infektive”, thekson ajo.

Pandemia e koronavirusit, e cila në disa periudha ka shkaktuar fluks të madh pacientësh në spitale, ka vështirësuar jo rrallë trajtimin e sëmundjeve të tjera.

Vitin e kaluar, në disa raste ka pasur ngecje sa i përket kryerjes së analizave rutinore të personave që jetojnë me virusin HIV.

Por, gjatë këtij viti, sipas Mehmetit, për të gjithë personat e prekur nga ky virus, është siguruar terapia e vazhdueshme, ndërsa janë kryer edhe analizat rutinore, që parashihen brenda vitit.

“Këta [personat me HIV], në asnjë moment, nuk kanë mbetur pa terapi. Madje, edhe testet më të rëndësishme që ne i punojmë, me qëllim të mbikëqyrjes së tyre në aspektin imunitar dhe virusal, i kemi bërë në mënyrë të rregullt. Meqenëse preferohet, zakonisht, minimum dy herë në vit, ne i kemi realizuar ato brenda vitit 2021. Dy herë i kemi punuar këto analiza imunologjike dhe virologjike. I kemi bërë në muajin mars dhe tash, në muajin e fundit, i kemi bërë për herë të dytë”, thotë Mehmeti.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar IKSHPK-së me pyetjen se sa është numri i të testuarve për HIV në Kosovë brenda vitit 2021, por, deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, nuk ka marrë përgjigje.

Qendra për Këshillim dhe Trajtim të Varësisë “Labirint” në Prishtinë ka testuar sivjet mbi 500 persona për virusin HIV, thotë drejtuesi i kësaj qendre, Safet Blakaj.

Sipas tij, shifra është mbi dyfish më e lartë krahasuar me rreth 250 testimet e kryera vitin e kaluar.

“Brenda këtij viti, numri i testimeve ka qenë 535. Fatmirësisht, asnjë rezultat pozitiv nuk e kemi pasur sa i përket HIV-it”, thotë Blakaj, duke shtuar se këto të dhëna i janë dërguar Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKSHPK-së.

Rritjen e numrit të testimeve për HIV në vitin 2021, Blakaj e sheh si rikthim të rutinës së testeve, e cila ka pësuar ngecje në fillimet e pandemisë, në vitin 2020.

Kjo, sipas tij, do të thotë edhe ndërgjegjësim më i madh i personave që dëshirojnë të vërtetojnë ose shmangin dyshimet e tyre lidhur me virusin HIV.

Shefi i Repartit për HIV në Klinikën Infektive, Murat Mehmeti, thotë se disa prej personave të prekur nga HIV në Kosovë, kanë qenë të infektuar edhe me koronavirus.

“Ka pasur të prekur [nga sëmundja që e shkakton koronavirusi, COVID-19], të cilët e kanë kaluar me shumë pak telashe, do të thotë me një gjendje të lehtë. Fatkeqësisht, e kemi pasur një person ose një pacient që e ka pasur COVID-19 dhe ka përfunduar me vdekje. E kam fjalën prej të gjithë këtyre pacientëve”, thotë Mehmeti.

Në Kosovë, rasti i parë me HIV/AIDS është regjistruar në vitin 1986.

Sipas IKSHPK-së, që nga ajo kohë e deri në dhjetor të vitit 2020, janë regjistruar gjithsej 132 raste me HIV. Deri më tani, mbi 50 prej tyre kanë vdekur.

Me këto shifra, Kosova radhitet në mesin e vendeve me shkallë të ulët të AIDS-it, por faktorë rreziku për të janë zhvillimet socio-ekonomike.

HIV-i mund të transmetohet nëpërmjet shkëmbimit të lëngjeve të ndryshme trupore nga individët e infektuar.