Rritet numri i sinjalizimeve për korrupsion, kërkohet rishikimi i ligjit
Në më pak se katër muaj zyrtarët publik duke shfrytëzuar mekanizmin e sinjalizimit kanë raportuar 24 raste në Agjencinë për Parandalim dhe Korrupsion. Këto shifra nga vetë Agjencia po konsiderohet sinjal i mirë, por njohësit e sistemit të drejtësisë vlerësojnë se përkundër lëvizjeve pozitive nuk mund të thuhet se Kosova ka përfituar nga ky mekanizëm.…

Lajme
Në më pak se katër muaj zyrtarët publik duke shfrytëzuar mekanizmin e sinjalizimit kanë raportuar 24 raste në Agjencinë për Parandalim dhe Korrupsion. Këto shifra nga vetë Agjencia po konsiderohet sinjal i mirë, por njohësit e sistemit të drejtësisë vlerësojnë se përkundër lëvizjeve pozitive nuk mund të thuhet se Kosova ka përfituar nga ky mekanizëm.
Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj beson që në rritjen e raportimeve të keqpërdorimeve në institucione ka kontribuar edhe rritja e kapaciteteve dhe kushteve më të mira për raportim.
“Rastet e raportuara përmes mekanizmit të sinjalizimit po shënojnë rritje çdo vit. Derisa në vitin 2023 kemi pasur 20 raste, vitin e kaluar 48, ndërsa tashmë kur i jemi tre muaj e gjysmë nga fillimi i vitit i kemi 24 raste të pranuara, e kjo tregon se me gjasë do të kemi numër më të madh të rasteve edhe këtë vit në rritje. Kjo tregon besimin në Agjenci, por edhe rritjen e kapaciteteve që kemi si Agjenci dhe rritjen e kushteve dhe kritereve më të mira për pranimin e sinjalizimit tashmë kemi edhe aplikacion elektronik, kemi mundësi që t’i presim sinjalizuesit dhe të shkojmë kudo që janë ata në Kosovë, kemi kapacitete aktuale të mjaftueshme”, thotë Buleshkaj.
Kreu i kësaj agjencie vlerëson se përdorimi i mekanizmit të sinjalizimit parandalon keqpërdorimet në institucione.
Për mbrojtjen e sinjalizuesve, sipas Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, përgjegjëse janë gjykatat e Kosovës.
“Kjo tregon se përdoret mekanizmi, e dyta kontribuon në parandalimin e keqpërdorimeve nuk do të thotë që gjithmonë është vepër penale mund të jetë një shkelje administrative, por që ka ndikim në interesin publik”, tha ai.
Ndonëse numri i rasteve të sinjalizuara është rritur, Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thekson nuk ka ndonjë rast të madh, i cili është raportuar përmes procesit të sinjalizimit.
Ai shton se Kosova ka një prej ligjeve më të avancuara për mbrojtjen e sinjalizuesve, por sipas tij nevoja për rishikim të këtij ligji ekziston.
“Deri më tash nuk ka pasur, përkundër faktit që janë evidentuar raste, nuk ka pasur ndonëse rast shumë të madh, shumë reprezentativ që ka prezantuar përmes procesit të sinjalizimit. Këtu do të thotë janë disa faktorë. Faktori i parë, mungesa e vetëdijes së zyrtarëve lidhur me mbrojtjen që ofron ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve. Aspekt tjetër është mesazhi jo adekuat që kanë dhënë në disa raste kanë dhënë institucionet publike… Një aspekt tjetër që duhet rishikuar në aspekt të sinjalizuesve është rishikimi i ligjit, në kuptim të asaj që edhe sinjalizuesit të kenë një përfitim të caktuar monetar nëse raportimet e tyre rezultojnë të suksesshme. Përkundër faktit që ka disa lëvizje pozitive në kuptim të rasteve të sinjalizuara, prapë se prapë, Kosova i ka marrë përfitimet e nevojshme, të cilat rrjedhin nga sinjalizimi”, u shpreh ai.
Mekanizmi i sinjalizimit ndihmon në parandalimin e korrupsionit. Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Studime të Demokracisë dhe Qeverisjes në Shqipëri, Arjan Dyrmishi thotë për KosovaPress, se sinjalizimi si një praktikë e re në rajon për të raportuar korrupsionin nga zyrtarët publik e privat, ende mbetet prapa.
“Sinjalizimi është një praktikë e re në rajon pasi ka pasur rreth një dekadë që kurse janë miratuar ligjet, megjithatë konsolidimi i një praktike sa i përket sinjalizimit akoma mbetet prapa. Ka pasur progres numrat në përgjithësi të sinjalizuesve janë shtuar, por nuk ka vëmendje apo njohje të mirë të legjislacionit. Shpeshherë njerëzit i ngatërrojnë me denoncimet apo ankesa, ndërsa sinjalizimi është veprimtari specifike, sepse kryhet nga ata persona, të cilët janë në marrëdhënie pune ose që kanë rrethana shumë të veçanta”, u shpreh Dyrmishi.
Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, definon rregullat për sinjalizim, procedurën e sinjalizimit, të drejtat e sinjalizuesve dhe detyrimet e institucioneve në lidhje me sinjalizimin. Përveç sektorit publik, Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve përfshinë edhe sektorin privat.