Rritet numri i rasteve në Maqedoninë e Veriut/ A do të ketë masa të reja kufizuese?

Në Maqedoninë e Veriut numri i rasteve të regjistruara me koronavirusin e ri (COVID-19) vazhdon të rritet, ndërkohë Komisioni për Sëmundje Infektive do të vendosë nëse do të ketë masa të reja kufizuese për të parandaluar përhapjen e virusit.

Lajme

16/10/2020 11:49

Sipas raportit të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, 535 raste të reja me COVID-19 u regjistruan në vend brenda 24 orëve, që është një numër rekord i rasteve ditore të regjistruara deri më tani.

Të dhënat e autoriteteve shëndetësore tregojnë se në 15 ditët e para të këtij muaji janë regjistruar më shumë raste të koronavirusit, sesa numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara në katër muajt e parë që nga konfirmimi i rastit të parë me COVID-19 në vend.

Në fund të muajit shkurt u regjistrua rasti i parë në Maqedoninë e Veriut dhe deri më 15 qershor numri i përgjithshëm i të infektuarve me këtë virus ishte 4.157. që nga fillimi i tetorit, numri i rasteve të regjistruara me këtë virus ka arritur në 4.209.

Filipçe: Herët është për orë policore, masat kufizuese duhet të respektohen më shumë

Dje duke folur për situatën aktuale me COVID-19 në një bisedë televizive, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe theksoi se po të ishin respektuar masat parandaluese nuk do të kishte pasur një rritje të tillë të numrit të të infektuarve.

“Jemi të vetëdijshëm se nëse këto masa nuk respektohen duhet të ketë kufizime shtesë, të cilat do të përfshijnë kufizime të transportit publik, kufizime në funksionimin e restoranteve dhe subjekteve të caktuara ekonomike, kudo që ne e konsiderojmë atë një rrezik”, tha Filipçe.

Ai tha se disa nga masat mund të zbatohen në disa komuna, disa mund të zbatohen në të gjithë vendin. Ministri shtoi se kjo do të diskutohet në takimin e sotëm të Komisionit për Sëmundje Infektive.

“Për orë policore, personalisht mendoj se është ende herët, ende ka hapësirë për të respektuar masat”, tha Filipçe.

“Kapaciteti i spitaleve po mbushet me shpejtësi”

Sipas ministrit Filipçe, pavarësisht se ka vende të lira në spitale, kapaciteti po mbushet me shpejtësi. Ai njoftoi se ka pasur një numër të madh të të pranuarve në spitale gjatë 24 orëve të fundit.

Ai theksoi se problemi më i madh është mungesa e mjekëve dhe infermierëve, për shkak të së cilës tashmë ekziston lista për rotacionin e personelit mjekësor dhe do të përfshihen edhe studentët e vitit të gjashtë për të ndihmuar epidemiologët në kryerjen e anketave.

Lidhur me rezultatet e analizës së vdekshmërisë nga COVID-19 në Maqedoninë e Veriut, ministri Filipçe tha se, “Përqindja më e madhe, mbi 85 për qind janë njerëz që kanë sëmundje të tjera dhe janë mbi 60 vjeç, grupi më kritik dhe më i rrezikshëm. Këtu janë pacientët që vijnë në spital vonë me parametra të këqija”.