Rritet niveli i manganit në liqenin e Badovcit, IKSHPK rekomandon të mos përdoret për pije

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), gjatë monitorimit dhe përcjelljes së cilësisë së ujit të pijshëm, ka njoftuar se ka vërejtur ngritje të vlerave të manganit në mostrat e ujit në zonën e cila furnizohet nga liqeni akumulues i Badocit; Sipas IKSHPK-së, analizat e fundit laboratorike kanë treguar tendencë në rritje të përqendrimit…

Lajme

01/09/2025 16:39

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), gjatë monitorimit dhe përcjelljes së cilësisë së ujit të pijshëm, ka njoftuar se ka vërejtur ngritje të vlerave të manganit në mostrat e ujit në zonën e cila furnizohet nga liqeni akumulues i Badocit;

Sipas IKSHPK-së, analizat e fundit laboratorike kanë treguar tendencë në rritje të përqendrimit të manganit si në ujin e liqenit, ashtu edhe në rrjetin shpërndarës.

Edhe pse këto vlera e tejkalojnë kufirin e paraparë në Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021 – Cilësia e ujit për konsum nga njeriu, IKSHPK ka thënë se deri më sot ato nuk e kanë tejkaluar standardin shëndetësor që konsiderohet se mund të ndikojë shëndetin e njeriut.

“Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të popullatës, IKSHPK apelon tek qytetarët që furnizohen nga Fabrika e Ujit në Liqenin e Badocit që të mos e përdorin ujin për pije deri në njoftimin e radhës. IKSHPK thekson se ndotja e ujit me mangan është ndotje kimike dhe se vlimi i ujit nuk e eliminon manganin. Uji mund të përdoret vetëm për pastrim, mirëmbajtjen e higjienës personale dhe të ambienteve të banimit. IKSHPK ka sforcuar kontrollin e cilësisë së ujit të pijshëm si dhe bashkëpunimin me KRU Prishtinë për të siguruar ujin cilësor për qytetarët”, thuhet në njoftim.

Nga IKSHPK kanë thënë se KRU “Prishtina” ka ndërmarrë masat e nevojshme, duke zvogëluar sasinë e prodhimit për të ruajtur cilësinë, duke intensifikuar procesin e shpërlarjes së rrjetit shpërndarës duke përfshirë edhe gypat magjistral dhe sekondar, si dhe për të siguruar furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm për zonat e prekura (sipas hartave të prezantuara), KRU “Prishtina” do të ofrojë ujë përmes autoboteve, në përputhje me orarin e përcaktuar dhe të prezantuar nga kompania.

“Zonat e prekura: Qyteza e Graçanicës, fshatrat e Graçanicës që furnizohen nga liqeni Badoc, Hajvalia, Veterniku, Lagja 038, Lagja Qëndresa, Qëndresa Home, Swiss Village, fshati Preoc, Çagllavicë, Rr. Behar Begolli, Rr. Richard Holbrooke, Qendra tregtare Albi Mall, Rr. Shkupi, Rr. Holger Petersen, Rr. Malush Kosova, Lagja Qershia, Lagja NIC, Matiçan drejtimi nga Pallati i Drejtësisë, fshati ndërkombëtar, Mati- rruga Muharrem Fejza, Rr. Enver Maloku, Lagja Kodrina, objektet Tregtia, Iliria Building, Standardi, Rr.Ferat Dragaj, Rr. Hajrullah Abdullahu, Rr. Hilmi Rakovica, Rr. Vëllezërit Gërvalla, Rr. Afrim Zhitija, Rr. Armend Daci, Rr. Dervish Rozhaja, Rr. Thimi Mitko, pjesa e zonës “te Xhambazët”, Rr. Sali Nivica, Rr. Norbert Jokl, objektet banesore në Bregun e Diellit zonat Qendër dhe zonat tjera afër Qendrës Tregtare në brezin rrugor Xheladin Rekaliu deri te kryqëzimi i rrugës te konviktet, zonat afër shkollës Ismail Qemali, Rr. Mehmet Gradica, Rr. Hyzri Talla, Rr. Qamil Bala”, ka njoftuar IKSHPK. /Lajmi.net/ 

Njoftimi i plotë: