Rritet interesimi për studime në UP, mbi 6 mijë aplikues deri më tani
Mbi 6 mijë kandidatë kanë aplikuar për t’u regjistruar në vitin e ri akademik 2024/25 në Universitetin e Prishtinës “ Hasan Prishtina”. Drejtues të këtij universiteti kanë bërë të ditur se krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit ka rritje të numrit të të interesuarve për studime, ndërsa drejtimet më të kërkuara janë: Mjekësia, Inxhinieria…
Lajme
Mbi 6 mijë kandidatë kanë aplikuar për t’u regjistruar në vitin e ri akademik 2024/25 në Universitetin e Prishtinës “ Hasan Prishtina”. Drejtues të këtij universiteti kanë bërë të ditur se krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit ka rritje të numrit të të interesuarve për studime, ndërsa drejtimet më të kërkuara janë: Mjekësia, Inxhinieria Elektrike dhe Kompjuterike, Juridiku, Arkitektura dhe Edukimi.
Universiteti i Prishtinës në vitin e parë të studimeve themelore Baçelor për vitin akademik 2024/25 ka pranuar 6 mijë e 165 aplikacione në të gjitha fakultet. Këshilltari i Rektorit të Universitetit të Prishtinës “ Hasan Prishtina”, Irfan Nikçi, në një përgjigje me shkrim përmes postës elektronike për Radio Kosovën, tha se këtë vit ka pasur rritje të aplikimeve në të gjitha fakultetet.
“Ju njoftojmë se këtë vit kemi pasur rritje të numrit të aplikimeve në të gjitha fakultetet, me një dallim të vogël në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit. Për vitin akademik 2024/25 Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka pranuar 6 mijë e 165 aplikime. Krahasuar me vitin e kaluar ky numër është më i lartë, pasi në vitin e kaluar akademik numri i aplikantëve ishte 5 mijë e 463 studentë, tha Nikçi.
Tutje, Nikçi përmendi drejtimet për të cilat ka pasur më së shumti interesim nga të rinjtë për t’u regjistruar.
“Top 10 programet me numrin më të madh të aplikimeve për vitin e ri akademik 2024/25 janë: Fakulteti i Mjekësisë, Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Fakulteti Juridik, Filozofik, Programi i Infermieri, Arkitekturës, Edukimit, Filologjisë dhe Programi Farmaci”, tha ai.
Ndërkohë, përkundër që vitin e kaluar ka qenë një interesim shumë i ulët për programet Gjuhë Shqipe dhe Letërsi Shqipe të Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës këtë vit ka një interesim më të madh nga të rinjtë. Në vitin e ri akademik në Programin Gjuhë Shqipe dhe Letërsi Shqipe kanë aplikuar 137 sosh që janë 85 për qind më shumë se vitin e kaluar, e që numri i studentëve që do të pranohen është gjithsej 120 apo 60 studentë në secilin drejtim.
Interesimi për këto drejtime është shtuar për shkak se për herë të parë Ministria e Arsimit do të ofrojë bursa vjetore për studentët që regjistrohen në këto programe. Shuma e bursës është 1 mijë euro në vit për student.