Rriteni bashkëpunimin

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë inkurajon Kosovën dhe Shqipërinë që të kenë bashkëpunim më të madh tregtar dhe ekonomik.

Lajme

11/01/2014 06:56

Sipas Odës Ekonomike Amerikane, projektet e përbashkëta si: ndërtimi i autostradës së Kombit, nënshkrimi i Marrëveshjes për Tregti të Lirë si dhe i Protokollit për Bashkëpunim Ekonomik Kosovë-Shqipëri, i kanë afruar dy vendet më shumë se kurrë dhe ka ndikuar në proceset integruese drejt Bashkimit Evropian.

“Thellimi i bashkëpunimit rajonal, veçanërisht atij në mes Kosovës dhe Shqipërisë është i një rëndësie kyçe drejt zhvillimit më të qëndrueshëm ekonomik të të dyja vendeve, të cilat përballen me një gjendje të brishtë dhe sfida sa i përket shpejtimit të mëtutjeshëm të rritjes ekonomike”, thuhet në kumtesën e OEAK.

Më tej, Oda Ekonomike Amerikane i bën thirrje qeverive të të dyja vendeve që të ndërmarrin masat e duhura për eliminimin e barrierave reciproke dhe që të përqendrohen në zbatimin e pakusht të dispozitave të Marrëveshjes për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA).

“Oda Amerikane vlerëson se me vendosjen e barrierave tarifore dhe jotarifore nga të dyja anët e kufirit dëmtohen rëndë interesat e bizneseve të Kosovës dhe të Shqipërisë, njëkohësisht duke u penguar fuqizimi i marrëdhënieve ekonomike, shkëmbimi tregtar si dhe lëvizja e lirë e mallrave ndërmjet dy shteteve.”

“Për të përmbyllur, ftojmë qeveritë e të dyja vendeve që të angazhohen më fuqishëm dhe të tregojnë energji më të madhe për një bashkëpunim më të thellë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, me më pak retorikë politike dhe patriotike, duke nisur kështu një epokë të re në të cilin vendkalimet kufitare nuk konsiderohen si pengesë por urë lidhëse në mes bizneseve të Kosovës dhe të Shqipërisë”.