Rriten të hyrat mujore për mësimdhënësit e angazhuar para luftës

Të hyrat mujore për mësimdhënësit që dhanë kontribut në arsimin e paraluftës, do të jenë nga 19 deri në 74 euro më shumë.

Lajme

14/12/2019 22:47

Mësimdhënësit të cilët vazhduan punën gjatë periudhës 1990-1999 në të ashtuquajturën ‘Sistem paralel i arsimit’, do iu kompenzohet në shumë të caktuar kontributi të cilën e kanë dhënë.

Këtë e thotë edhe Bahri Xhaferi nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, i cili ka treguar për ‘Klan Kosova’ se nga kur do të fillojë periudha e pagesës.

‘Për nëntë vite është diku 70 euro, ndërsa për një vit shkon më pak, ndërsa pagesa është bërë konform kornizës ligjore që është duke u zbatuar. Do të ketë periudha e pagesës nga muaji prill deri në muajin nëntor, ndërsa kërkesa që bëhet nga një dhjetori e tutje, pagesa e tyre do të bëhet nga dhjetori’.

Për këtë lajm ka reaguar edhe krye-sindikalisti i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, i cili beson që ky proces do të filloj para vitit të ri.

‘ Jam i sigurt që para vitit të ri punëtorët e arsimit të viteve të 90’ta do të marrin pensionin, do të marrin shtesën mbase jo 95 sa e kanë pritur por 74’, ka përfunduar Jasharaj.

Kostoja e zbatimit të ligjit për vitin 2019 do të ketë 6.6 milion euro dhe për vitin 2020 rreth 7.4 milionë euro.

Sa i përket numrit të mësimdhënësve të cilët ishin të angazhuar në procesin mësimor gjatë kësaj periudhe, llogaritet të jetë rreth 23 mijë.