Rriten rastet me infarkt tek moshat nën 45 vjeçare në Kosovë, nga QKUK thonë se fluksi i pacientëve në Kardiologji mbetet i lartë
Ndër problemet më serioze shëndetësore që sjellin pasoja serioze, janë edhe ato që vijnë nga zemra. E duke qenë një organ kaq i rëndësishëm, edhe qytetarët e Kosovës i kushtojnë rëndësi asaj dhe kujdesit për të. Klinika e Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka thënë në një përgjigje për lajmi.net se aktualisht po…
Lajme
Ndër problemet më serioze shëndetësore që sjellin pasoja serioze, janë edhe ato që vijnë nga zemra. E duke qenë një organ kaq i rëndësishëm, edhe qytetarët e Kosovës i kushtojnë rëndësi asaj dhe kujdesit për të.
Klinika e Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka thënë në një përgjigje për lajmi.net se aktualisht po i trajtojnë mijëra pacientë me sëmundje të zemrës.
Ata kanë thënë se këto sëmundje që po i trajtojnë, përfshijnë raste akute dhe kronike, si dhe pacientë që ndjekin trajtim ambulator dhe diagnostik.
Klinika e Kardiologjisë në QKUK, në këtë përgjigje, ka treguar numrin e pacientëve që kanë marrë trajtim gjatë 2025-tës në këtë klinikë.
“Gjatë vitit të kaluar (2025), në Klinikën e Kardiologjisë janë realizuar rreth 7,445 shtrime spitalore, ndërsa numri i pacientëve që kanë marrë shërbime kardiologjike joinvazive dhe ambulatore ka qenë dukshëm më i lartë, duke kaluar 20,000 shërbime diagnostike dhe kontrolle”, kanë thënë nga kjo klinikë.
Ata kanë thënë se edhe aktualisht, fluksi i pacientëve mbetet i lartë, duke reflektuar barrën e madhe të sëmundjeve kardiovaskulare në vend.
Në lidhje me problemet shëndetësore të zemrës, që zakonisht është infarkti i zemrës apo miokadrit, detaje për lajmi.net ka dhënë edhe kardiologu Arlind Batalli.
Ai në një intervistë për lajmi.net, ka thënë se infarkti i zemrës apo miokadrit është dëmtimi i pakthyeshëm i muskulit të zemrës.
Batalli ka thënë se kohëve të fundit, ka shënuar një rritje e rasteve të infarktit prematur, apo infarktit që paraqitet tek moshat nën 45 vjeç, ndërsa për këtë ka dhënë dy arsyet kryesore.
“Është rritur numri i shërbimeve në Klinikën Universitare dhe mundësia e çasjes së qytetarëve në shërbime shëndetësore të avancuara. Përveç kësaj, arsyeja që është mjaft e rëndësishme dhe shqetësuese, kemi rritjen reale të numrit të pacientëve me moshe më të re”, ka thënë Batalli.
Ai ka treguar edhe për arsyet që shkaktojnë infarkt në zemër.
“Këtu ndikojnë faktorë tradicionalë të rrezikut, jeta sedentare, jetë me pak lëvizje, qëndrojnë më shumë ulur para ekraneve, duhanpirja, abuzimi me substanca qofshin narkotike apo edhe me nikotinë si dhe stresi kronik ka një rol të rëndësishëm. Shumë e rëndësishme është edhe faktori gjenetik ku këta pacientë duhet të kenë njohuri për anamnezën familjare.Kequshqyeshmëria ka një rol shumë të rëndësishëm, sidomos ushqimet e procesuara, përdorimi i yndyrnave me prejardhje shtazore, mandej përdorimi i sheqernave të koncentruara”, ka shtuar ai.
Kardiologu Batalli, ka treguar për lajmi.net se cilat janë simptomat që nuk duhen injoruar nga një pacient nëse i ka.
“Prej ankesave tipike që duhet një pacient të shqetësohet nëse i ka, është dhimbja në gjoks, prezenca e një dhimbje në mes të gjoksit, e cila shpërndahet në anën e majt, qafën, nofullën, që zgjat disa minuta dhe mund të shoqërohet me djersitje apo vjellje”, ka shtuar Batalli.
Kujdesi për zemrën, diagnostikimi i hershëm dhe ndryshimi i stilit të jetesës mbeten strategjitë kryesore për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare dhe për rritjen e cilësisë së jetës në Kosovë. /Lajmi.net/