Rriten rastet e fruthit në Kosovë, 50 raste të reja janë regjistruar që nga 10 korriku

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar për 13 raste të reja të fruthit gjatë javës së fundit, duke e çuar në 112 numrin e përgjithshëm të rasteve të regjistruara në vend. Shqetësues është fakti se numri i rasteve është rritur me ritëm të shpejtë gjatë javëve të fundit. Sipas IKShPK-së, më…

Lajme

10/08/2026 17:32

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar për 13 raste të reja të fruthit gjatë javës së fundit, duke e çuar në 112 numrin e përgjithshëm të rasteve të regjistruara në vend.

Shqetësues është fakti se numri i rasteve është rritur me ritëm të shpejtë gjatë javëve të fundit. Sipas IKShPK-së, më 10 korrik ishin raportuar 62 raste, ndërsa deri më 10 gusht janë regjistruar edhe 50 raste të reja.

Prishtina prin me numrin më të madh të rasteve, me gjithsej 37, e pasuar nga Fushë-Kosova me 29 raste. Ferizaj ka 12 raste, Kaçaniku 7 dhe Obiliqi 6.

Nga tri raste janë raportuar në Drenas dhe Lipjan, ndërsa nga dy raste në Gjilan, Skenderaj, Shtime, Shtërpcë dhe Vushtrri. Nga një rast është regjistruar në Deçan, Graçanicë, Podujevë dhe Viti.

Përballë rritjes së rasteve, ekipet e vaksinimit kanë intensifikuar aktivitetet në komunat më të prekura. Gjatë javës së fundit, në Prishtinë, Fushë-Kosovë, Ferizaj, Obiliq, Vushtrri dhe Skenderaj janë vaksinuar me MMR gjithsej 147 fëmijë që kishin vonuar vaksinimin sipas kalendarit të rregullt.

IKShPK u bën thirrje qytetarëve që, në rast të simptomave të dyshimta për fruth, si temperaturë e lartë, skuqje të lëkurës, kollë, rrufë apo konjunktivit, të kërkojnë menjëherë ndihmë në institucionet shëndetësore.

Instituti thekson se fruthi është shumë infektues dhe mund të shkaktojë komplikime, ndaj kërkon angazhim të përbashkët të institucioneve, profesionistëve shëndetësorë, prindërve dhe komunitetit për të parandaluar përhapjen e mëtejshme.

Sipas IKShPK-së, vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e personave të pavaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik. /Lajmi.net/