Rriten protestat kundër Erdoganit, 340 të arrestuar

Tensionet po rriten në Turqi pas arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit, qindra njerëz janë arrestuar, përleshje të reja me policinë janë raportuar, ndalimi i demonstratave është zgjatur dhe kufizimet e udhëtimit janë vendosur në qytetin që shtrihet në dy kontinente. Pasi më shumë se 340 persona u arrestuan gjatë demonstratave, mijëra u mblodhën jashtë bashkisë…

Lajme

23/03/2025 08:42

Tensionet po rriten në Turqi pas arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit, qindra njerëz janë arrestuar, përleshje të reja me policinë janë raportuar, ndalimi i demonstratave është zgjatur dhe kufizimet e udhëtimit janë vendosur në qytetin që shtrihet në dy kontinente.

Pasi më shumë se 340 persona u arrestuan gjatë demonstratave, mijëra u mblodhën jashtë bashkisë së qytetit të Bosforit për të katërtën ditë radhazi për të protestuar kundër ndalimit të Ekrem Imamoglu, kryebashkiaku i konsideruar si rivali kryesor i Presidentit Rexhep Tajip Erdogan, raporton ANSA.

Gjatë protestës pati përplasje mes demonstruesve dhe oficerëve të rendit që përdorën gaz lotsjellës, ndërsa momente tensioni pati edhe pranë Pallatit të Drejtësisë, i ruajtur nga rreth dy mijë oficerë dhe 35 automjete të blinduara, ku Imamoglu u prit nga gjyqtarët të cilët duhet të vendosin nëse do të vërtetojnë ose jo arrestimin e tij, për akuza të ndryshme, përfshirë korrupsion dhe ndihmë terrorizmi. Kryebashkiaku tashmë i ka hedhur poshtë këto akuza, duke i quajtur ato “të pamoralshme dhe të pabaza” dhe duke thënë se ato janë krijuar për të dëmtuar reputacionin dhe besueshmërinë e tij.

Ndërkohë, Erdogan ka nisur një sulm të ri kundër partisë opozitare CHP, anëtar i së cilës është Imamoglu, të cilën ai e kishte akuzuar tashmë për ‘terrorizëm në rrugë’ për demonstratat e thirrura çdo ditë që nga arrestimi i kryetarit. “Ata sulmuan forcat tona të policisë dhe u përpoqën të kërcënojnë anëtarët e gjyqësorit tonë”, tha kreu turk, duke iu referuar përleshjeve mes protestuesve dhe forcave të policisë që kanë ndodhur në disa qytete.

“Ata nuk do të mund të shkatërrojnë rendin publik me provokime dhe ne nuk do ta lejojmë”, gjëmonte Erdogan, duke i quajtur protestuesit “vandalë dhe një grup margjinal të majtë”. Ndërsa demonstratat vazhdojnë për ditë të tëra pavarësisht se janë të ndaluara, Prefektura e Stambollit ka zgjatur ndalimin e protestave deri të enjten e ardhshme dhe gjithashtu njoftoi se “individët, grupet dhe automjetet që mund të përfshihen në aktivitete të paligjshme, individualisht ose kolektivisht, nuk do të lejohen të hyjnë ose të dalin nga qyteti ynë”. Që nga fillimi i protestave, disa persona janë arrestuar me akuzën e “nxitjes së urrejtjes dhe armiqësisë” për mesazhet e shpërndara në rrjetet sociale për arrestimin e kryebashkiakut.

Partia kryesore opozitare e Turqisë, CHP, megjithatë është e vendosur të mbajë zgjedhje paraprake për të zgjedhur kandidatin e saj për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, të planifikuara për vitin 2028. Kandidati i vetëm është kryebashkiaku Imamoglu, i cili që kur u zgjodh në Stamboll për herë të parë në 2019 – duke hequr komunën nga partia e Erdoganit pas 15 vjetësh – është bërë figura më karizmatike ndaj presidentit turk në opozitë. Në votim do të mund të marrin pjesë jo vetëm anëtarët e partisë, por edhe të gjithë qytetarët turq që dëshirojnë ta bëjnë këtë.