Rriten edhe çmimet e barnave, 35 mjekë e lënë sektorin publik për atë privat
Më rritjen e çmimit të produkteve ushqimore janë rritur edhe çmimet e barnave, thotë kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu.
Lajme
Sejdiu tha se për këtë arsye duhet të kalojë menjëherë Ligji i pagave dhe të bëhet rishikimi i buxhetit para se të aprovohet në Kuvend.
Sipas tij, mbi 35 mjekë vetëm gjashtë muajt e parë të këtij viti kanë lëshuar nivelin publik dhe kanë filluar punën në privat.
“Normal që nuk është e përballueshme. Po shohim që të gjitha çmimet po rriten. Me siguri që edhe kostoja e materialeve harxhuese rritet automatikisht bie fuqia e buxhetit që është me limituar dhe rezulton me një mungesë dhe automatikisht ata duhet të orientohen në spitale private të cilat prapë e ngrisin çmimin dhe për shkak të kësaj pësojnë pacientët. Dhe në anën tjetër destimulim komplet”.
“Unë mendoj Ligji i pagave duhet të kalojë dhe menjëherë të bëhet rishikimi i buxhetit para se të aprovohet në kuvend dhe të shikohet stimulimi dhe rregullimi i kësaj çështje. Kemi një fenomen që mbi 35 mjekë vetëm gjashtë muajt e parë kanë lëshuar nivelin publik dhe kanë shkuar në privat. Në QKUK i kemi 50 anesteziologë”, tha Sejdiu për EO.
Ndërsa, udhëheqësi i Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK), Besim Kodra tha se çmimet e larta dhe mungesa e barnave esenciale, janë ankesat më të shpeshta të pacientëve.
Sipas Kodrës, Qeveria e Kosovës duhet të marrë masa në mënyrë që të parandalojë një rritje të tillë.
“Aktualisht nuk kemi pranuar ndonjë ankesë të veçantë se çmimi i barnave është rritur, mirëpo kemi ankesa të vazhdueshme nga ana e pacientëve për çmimet e larta të barnave. Nëse kemi një rritje në bazë të çmimeve të përgjithshme atëherë kjo do ta vështirësoje qasjen e pacientëve në barna dhe sigurisht do të ndikojë në shëndetin e tyre si individë”.
“Unë konsiderojë se qeveria e Kosovës duhet të marrë masa në mënyrë që të parandalojë një rritje të tillë. E mira do të ishte që lista e barnave esenciale të jetë e plotësuar në të gjithë ata artikuj që janë elementarë për pacientë dhe pacientë nga lista esenciale e barnave të mos blejnë dhe për çmime të tjera mandej të shoh se si të subvencionohen në mënyrë që të mos ketë rritje që është e papërballueshme për pacientët”, tha Kodra.
Tutje ai theksoi se ka ankesa që deri në 7 000 mijë euro ka kushtuar trajtimi i një pacienti me Covid.
“Është njëra prej kostove më madhore që qytetarët e kanë për ta marrë kujdesin shëndetësor që po i nevojitet. Gjendja ekonomike e qytetarëve ka ndryshuar në masë të madhe. Ne kemi ankesa që deri në 7 000 mijë euro ka kushtuar trajtimi i një pacienti me Covid”, tha ai.
“Që diku 425 euro ka kushtuar mesatarja e shpenzimeve për një pacientë që ka pasur Covid dhe kjo ka ndikuar në gjendjen ekonomike të tyre. Edhe barnat i blejnë vet dhe kjo ka goditur rëndë qytetarin e vendit”, tha ai.