Rrëzimi i vinçit në kryeqytet, IQP reagon sërish: Po i zhvillojmë hetimet, nëse ka pasur shkelje të sigurisë në punë do të marrim masa
Inspektorati Qendror i Punës, ka reaguar përsëri në lidhje me aksidentin e fundit që ka ndodhur dje te rruga “A” në Prishtinë ku është rrëzuar vinçi dhe ka humbur jetën një punëtor 26 vjeçar ndërsa një 18 vjeçar është lënduar. Ata i kanë shprehur ngushëllime përsëri familjes së viktimës dhe i kanë uruar shërim sa…
Lajme
Inspektorati Qendror i Punës, ka reaguar përsëri në lidhje me aksidentin e fundit që ka ndodhur dje te rruga “A” në Prishtinë ku është rrëzuar vinçi dhe ka humbur jetën një punëtor 26 vjeçar ndërsa një 18 vjeçar është lënduar.
Ata i kanë shprehur ngushëllime përsëri familjes së viktimës dhe i kanë uruar shërim sa më të shpejtë personit të lënduar, ndërsa kanë thënë se ky rast po trajtohet me prioritet të lartë dhe se po bashkëpunojnë me Policinë, Prokurorinë e institucionet e tjera kompetente që zbardhen rrethanat dhe përcaktohet përgjegjësia.
“Mbikëqyrja e zbatimit të legjislacionit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, në raport me punëmarrësit, kontraktorët, nënkontraktorët dhe personat e tjerë që kanë qasje të autorizuar në kantier, është kompetencë e Inspektoratit Qendror të Punës. Ndërkaq, sa i përket sigurisë së palëve të treta dhe parandalimit të dëmeve që mund t’u shkaktohen atyre, Ligji për Ndërtim, përkatësisht neni 35, përcakton se përgjegjësia për mbikëqyrjen e zbatimit të masave të sigurisë në kantieret e ndërtimit i takon inspektorateve të ndërtimit të komunave përkatëse, të cilat janë kompetente të ndërmarrin masa ndaj subjekteve ndërtimore që cenojnë rregullat e sigurisë, duke përfshirë edhe rastet kur rrezikohen pronat ose personat jashtë kantierit”, ka thënë IQP.
Ata kanë thënë se për lejën ndërtimore dhe përmbushjen e kushteve ndërtimore, IQP nuk ka kompetencë ligjore për ta vlerësuar nëse janë plotësuar apo jo kushtet për lëshimin e lejës ndërtimore, pasi sipas tyre kjo është përgjegjësi e autoriteteve kompetente sipas legjislacionit në fuqi.
“Në këtë fazë është ende herët të nxirren konstatime përfundimtare, pasi natyra dhe rrethanat e rastit kërkojnë hetime dhe ekspertiza të mëtejshme për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit, si dhe përgjegjësitë lidhur me zbatimin e masave të sigurisë dhe shëndetit në punë. Nëse nga hetimet konstatohet se ka pasur shkelje të legjislacionit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, Inspektorati Qendror i Punës do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore brenda kompetencave të tij dhe do të bashkëpunojë plotësisht me organet e drejtësisë”, thuhet në reagim.
IQP ka thënë se është e nevojshme të forcohet koordinimi institucional ndërmjet autoriteteve përgjegjëse për lëshimin e lejeve ndërtimore dhe institucioneve mbikëqyrëse.
“Aktualisht, Inspektorati Qendror i Punës nuk njoftohet në mënyrë sistematike nga komunat për lëshimin e lejeve ndërtimore apo fillimin e punimeve në kantieret e ndërtimit. Për pasojë, planifikimi i mbikëqyrjes inspektuese bazohet në monitorimin e vazhdueshëm të territorit, raportimet e qytetarëve dhe burime të tjera të informacionit, e jo në një mekanizëm ndërinstitucional të shkëmbimit të të dhënave. Prandaj, Inspektorati Qendror i Punës, përkatësisht MPFVLÇ do të iniciojë diskutime me institucionet përkatëse për krijimin e një mekanizmi të rregullt të njoftimit dhe koordinimit, me qëllim të identifikimit sa më të hershëm të kantiereve të reja dhe fuqizimit të mbikëqyrjes parandaluese në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë”, thuhet në reagim. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: