Rreziku që NPB përmes parave të qytetarëve duhet paguar mbi 32 milionë euro për investitorët privatë- Çfarë po ndodh me kontratën e bllokuar në Lakrishtë?
Ndërmarrja Publike Banesore e Prishtinës (NPB), po përballet me një nga çështjet më të komplikuara dhe më të debatuara të viteve të fundit. Historia nis në vitin 2021, kur NPB lidhi një kontratë me disa kompani private për të ndërtuar një kompleks afaristo-banesor në lagjen Lakrishtë. Që nga fillimi, kontrata ngjalli dyshime për ligjshmërinë e…
Lajme
Ndërmarrja Publike Banesore e Prishtinës (NPB), po përballet me një nga çështjet më të komplikuara dhe më të debatuara të viteve të fundit. Historia nis në vitin 2021, kur NPB lidhi një kontratë me disa kompani private për të ndërtuar një kompleks afaristo-banesor në lagjen Lakrishtë. Që nga fillimi, kontrata ngjalli dyshime për ligjshmërinë e saj, për mënyrën si u zgjodhën kompanitë dhe për potencialin që të përfitonin palët private në dëm të interesit publik.
Në vitin 2024, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj ish-kryeshefit të NPB-së Hajdar Hoxha dhe shtatë ish-aksionarëve të ndërmarrjes. Ata u akuzuan për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për lidhje të dyshimta me kontratën e diskutueshme. Por gjykata e shkallës së parë hodhi poshtë aktakuzën, duke konstatuar se nuk kishte prova konkrete që të pandehurit kishin përfituar ose ndihmuar kompanitë private në mënyrë të paligjshme. Vendimi u mbështet më pas edhe nga Gjykata e Apelit, që e vërtetoi se Prokuroria nuk kishte arritur të tregonte lidhjen objektive dhe subjektive midis zyrtarëve dhe kompanive të përfituara.
Megjithatë, historia nuk mbaron këtu. Në muajt e fundit, një vendim i Gjykatës Komerciale ka ngritur shqetësime të reja. Ky vendim mund të detyrojë NPB-në të paguajë mbi 32 milionë euro kompanive private, në emër të fitimit të humbur, edhe pse projekti nuk është realizuar kurrë.
Projekti në fjalë nuk ka filluar kurrë në praktikë. Nuk është vendosur asnjë tullë, ndërsa pjesa më e madhe e punëve mbeten vetëm letra. Por në bazë të vendimit të fundit të Gjykatës Komerciale, NPB mund të detyrohet të paguajë një shumë të konsiderueshme, duke shpenzuar paratë e qytetarëve për diçka që nuk ekziston. Zyrat e avokatëve që kanë mbrojtur interesin publik, duke përfshirë avokatin Faton Fetahu që ka punuar pro bono, kanë apeluar këtë vendim dhe pretendojnë se ligjshmëria duhet të rikthehet dhe interesi publik të mbrohet.
Vendimi i Gjykatës Komerciale
Pavarësisht rrëzimit të aktakuzës penale, Dhomat e Gjykatës Komerciale u përfshinë në të njëjtin rast përmes një procesi civil. Në muajin janar 2026, Gjykata Komerciale e Shkallës së Dytë rrëzoi aktgjykimin e mëparshëm të shkallës së parë, i cili kishte detyruar NPB-në të zbatojë kontratën. Avokati i NPB-së, Faton Fetahu, deklaroi se gjykata kishte konstatuar shkelje serioze ligjore dhe kishte dhënë udhëzime për mbrojtjen e interesit publik dhe pronës komunale.
Reagimi i LVV-së
Kurse sot Lëvizja Vetëvendosje, ka reaguar ndaj këtij vendimi të shkallës së dytë. Asamblisti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Gzim Sveçla, sot përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kontrata e vitit 2021 ishte e korruptuar dhe se NPB rrezikonte të paguante mbi 32 milionë euro për një projekt që nuk kishte filluar kurrë. Ai deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje kishte kundërshtuar projektin që nga fillimi, kishte bërë kallëzime penale, kishte ngritur padi dhe kishte denoncuar aferën në vazhdimësi. Sveçla po ashtu paralajmëroi se nëse Apeli e vërteton vendimin e shkallës së parë, kjo do të kishte pasoja të rënda për NPB-në dhe për Komunën e Prishtinës, duke e lënë ndërmarrjen të bllokuar për disa vjet.
Reagimi i PDK-së
Nga ana tjetër, PDK dhe anëtarët e saj e panë vendimin si një rrezik të madh për buxhetin e kryeqytetit. Abelard Tahiri, anëtar i kryesisë së PDK-së, dje tha se procesi gjyqësor kishte zgjatur vetëm shtatë ditë dhe ishte zhvilluar në vetëm dy seanca, duke përfunduar me një vendim që favorizonte një konsorcium kompanish private. Ai e konsideroi vendimin si aktgjykim skandaloz dhe paralajmëroi se mund të përfshinte deri në një të katërtën e buxhetit të Prishtinës. Tahiri shtoi se kjo ishte hera e parë në Kosovë që një projekt i pakryer dhe i papërfillshëm përfiton kompensim të këtij niveli për “fitim të humbur”. Ai theksoi se vendimi ishte kundërshtuar me ankesë nga avokati Faton Fetahu dhe se beteja ligjore për mbrojtjen e interesit publik dhe pronës komunale do të vazhdonte.
Derisa ky rast për qytetarët e Prishtinës, nuk është thjesht një debat politik, por lidhet drejtpërdrejt me mbrojtjen e parasë publike. Vendimi i fundit gjyqësor e vendos NPB-në në një pozicion të vështirë dhe hap një sfidë të re ligjore dhe financiare. /Lajmi.net/