Rreziku nga Bashkësia e Komunave Serbe

Krijimi i Bashkësisë së Komunave Serbe shihet si rrezik për t’u shndërruar në pushtet të tretë në vend. Agron Bajrami e Belul Beqaj thonë se kjo do ta preokupojë Kosovën më shumë se papunësia e gjendja e të uriturve në Kosovë.

Lajme

11/12/2013 13:26

Bashkësia e Komunave Serbe mund ta destabilizojë sistemin juridik të vendit, kanë thënë analistë dhe ekspertë të sigurisë në një tryezë sot në Prishtinë.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka publikuar një dokument për Veriun e Kosovës pas zgjedhjeve lokale dhe Marrëveshjen e 19 Prillit Kosovë-Serbi.

Analisti Agron Bajrami, në analizën e tij “Bashkësia e Komunave Serbe: Nga një mjet për integrim, drejt një dështimi në krijim” ka folur për pasojat që mund të sjellë Bashkësia e Komunave Serbe dhe mundësinë që kjo bashkësi të krijojë një nivel të tretë të pushtetit në Kosovë.

“Prej atyre zhvillimeve të mundshme negative, në këtë analizë kemi marrë dy të cilat mua më duket se po realizohen; ato janë tensionimi i situatës në terren në Veri, si dhe fakti që dhënia e një autonomie më të madhe për serbët sidomos në pjesën veriore të Kosovës është duke e rrezikuar balancin e krijuar nga propozimi gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës të hartuar nga Marti Ahtisari”.

“Analiza pretendon të paralajmërojë. Të tërheqim vërejtjen për mundësinë e shndërrimit të këtij entiteti politik në një nivel të tretë të pushtetit i cili mund të veprojë, nëse jo de jure atëherë de facto, jashtë kornizave ligjore të Kosovës dhe të defunksionalizoj dhe destabilizoj sistemin juridik të vendit”, ka thënë Agron Bajrami, Kryeredaktor i të përditshmes “Koha Ditore”.

Behlul Beqaj, profesor i shkencave politike, thotë se Iniciativa Qytetare “Srpska” është pushtet i trashëguar nga Millosheviqi.

Krijimin i Bashkësisë së Komunave Serbe, Beqaj e sheh më të preokupueshëm në të ardhmen se sa papunësia e gjendja e të uriturve në vend.

“Thënë në mënyrë metaforike, misioni i serbëve të (Hashim) Thaçit përfundoi, filloi misioni i serbëve të Dacicit. Kujtoj se është çështje e rrethanave kur edhe Ministri kosovar i Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic, do të shpallet tepricë teknologjike në Qeverinë e Kosovës, ngase të gjitha veprimet kryesore në komunat serbe po i kryen Ministri i Serbisë i ngarkuar për Kosovë dhe Metohi”.

“Iniciativa Qytetare Srpska, realisht nuk është listë demokratike, ajo është listë shtetërore në funksion të homogjenizimit të qytetarëve serbë të cilët do të ndjekin qëllimet hegjemoniste të pushtetit të trashëguar nga Millosheviqi”.

“Bashkësia e komunave serbe në fakt do të jetë entitet politik i Serbisë, që është fizikisht në territorin e Kosovës, dhe kjo është ajo që mendoj se moment i cili do të na preokupoj më shumë në të ardhmen se sa papunësia, gjendja e të uriturve, dhe skamja që e ka Kosova se sa procesi i demokratizimit e kështu me radhë”, tha Beqaj.

Robert Bosch, Ambasador i Holandës në Kosovë, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet t’i dalë në ndihmë strukturave tashmë legale serbe në Kosovë.

“Ideja pas kësaj marrëveshje është integrimi i strukturave që njëherë ishin ilegale tani në një sistem ligjor që quhen legale, Qeveria duhet t’i mbrojë ato, ne gjithë duhet t’i mbrojmë ato dhe këto janë pjesë e diskutimit në Bruksel”.

“Ata që kanë bojkotuar zgjedhjet janë shumica, në veri por edhe në komuna tjera, por nëse z. Pantic është në anën e atyre që kanë bojkotuar më shumë se në anën e atyre që kanë votuar atëherë mund të kemi një problem të dyfishtë, duke u munduar që t’i detyrosh këta që janë zgjedhur që t’i zbatojnë ligjet e Kosovës sipas marrëveshjes së arritur, dhe ata që kanë bojkotuar dhe të cilët janë të pakënaqur të cilët janë ende aty”, tha Ambasadori Bosch.