Rrethi që po ngushtohet dhe po bëhet lak
Mund të kërkohet çdo ditë dorëheqja e një Qeverie dhe organizimi i zgjedhjeve të reja. Por nuk mund të kërkohet dot dorëheqja e shtetit, apo edhe shkarkimi i tij.

Lajme
Blerim Shala
Është në shtim e sipër prodhimi masovik i urrejtjes dhe mosdurimit në politikën kosovare. Është në rënie drastike potenciali i maturisë në politikën kosovare. Rezervat e optimizmit tek qytetarët e Kosovës, të njohur për vite me radhë si ‘kampionë të optimizmit’ në Botë (madje), kanë ra në nivelin më të ulët që prej vitit 1999-të e këndej. Vlera e demokracisë kosovare, e parlamentarizmit në Kosovë, gjithashtu shënon një devalvim të vazhdueshëm. Po i njëjti konkludim vlen plotësisht edhe për debatin publik që po zhvillohet kohëve të fundit.
Për më keq, javëve të fundit sidomos, jemi dëshmitarë të përzierjes së rrezikshme të temave që janë kryekëput politike, me ato të cilat ndërlidhen me funksionimin e shtetit.
Ky është ai momenti që mund të ketë pasoja të paparashikueshme për Kosovën. Në të gjitha aspektet e mundshme.
Politika i ka të mirat dhe të këqijat e veta. E keqja apo e mira më e madhe, varësisht prej këndvështrimit, është që nuk bën pa te në shoqërinë njerëzore. Në politikë dihet fare mirë çka mund të negociohet, për çka mund të bisedohet. Gjithçka, të thuash. Mund të diskutohet edhe për validitetin e Marrëveshjeve të të gjitha llojeve (vendore dhe ndërkombëtare), për gjendjen ekonomike dhe politike në vend, për cilësinë e qeverisjes. Mund të kërkohet edhe shkarkimi dhe dorëheqja e një Qeverie. Gjithsesi, mund të bisedohet edhe për organizimin e zgjedhjeve të reja, kur ndodhë kontestimi i legjitimitetit qeverisës, apo, kur nuk ka shumicë të qartë parlamentare.
Çka nuk mund kurrë të negociohet është ekzistenca e sigurisë në një shtet, qëndrueshmëria e një shteti, de-monopolizimi i mjeteve të dhunës (të cilat nuk njohin ‘pluralizëm partiak’), funksionimi i gjyqësorit, në fakt i të gjitha institucioneve të shtetit.
Ta zëmë, nuk mund të negociohet a duhet të ketë Kosova Kuvend, a duhet ky Kuvend të punojë apo jo. Natyrisht, numri i kosovarëve të rëndomtë që janë gjithnjë e më të dëshpëruar me cilësinë e Kuvndit është në rritje stabile (dhe të vazhdueshme), por edhe ata e dinë fare mirë që nuk mund dot të mëdyshet ekzistenca e tij. Nuk mund dot të bëjmë pyetje a duhet të funksionojë gjyqësori, a duhet ta kryejë punën e vet policia.
Mund të kërkohet pra çdo ditë të lume dorëheqja e një Kryeministri, shkarkimi i një Qeverie, organizimi i zgjedhjeve të reja. Por nuk mund të kërkohet dot dorëheqja e shtetit, apo edhe shkarkimi i tij.
Deri para disa javëve, më së shumti diplomatët perëndimorë që jetojnë dhe punojnë këtu me ne, përsëritnin shpesh që nuk duhet të krijohen rrethanat në politikën kosovare, kur situata politike kalon në gjendje të dhunës, dhe kur dhuna, imponon solucionet politike në Kosovë. Dhuna nuk duhet të jetë kualitet politik në Kosovë dhe as krijuese e Agjendave të reja politike.
Dhuna si faktor politik rrezikon drejtpërdrejtë shtetin e Kosovës.
Kur dhuna bëhet mjeti kryesor dhe vendimtar për realizimin e qëllimit politik, ajo në fakt vjen e bëhet qëllim në vete. Apo, rrugës diku, bije poshtë kauza që është përdorur si ‘lëndë djegëse’ për aplikimin e dhunës. Dhe mbetet lakuriq dhuna si kauzë supreme politike.
Kjo ndodhë veçmas kur në një ambient politik çfarë është ky i Kosovës, kur dihet shkalla e problemeve të shumëllojta, me të cilat përballet ky shtet.
Drejtimi që ka sot politika kosovare është ai i një përplasjeje të plotë. Ndërsa pakkush e vret mendjen këndejpari, së paku në rrethanat e tanishme, që mund të ketë edhe ‘lojtar të tretë’ që pret momentin e tij për ta aktivizuar Agjendën e tij të dëmtimit substancial të shtetit të Kosovës. Kandidatë për ‘lojtar të tretë’ ka sa të duash. Në mendje të vijnë menjëherë së paku tre-katër prej tyre. Apo, të gjithë ata që nuk kanë interes aspak që Kosova të stabilizohet si shtet, dhe të ecë para.
Në rrethanat ta zëmë të një ngjarjeje çfarë ishte ajo të hënën në mbrëmje, në qendër të Prishtinës, apo para hyrjes së Policisë së Kosovë, ky ‘lojtari i tretë’ mund të bëjë çka të dojë, duke shumëfishuar dhunën dhe rrëmujën në vend.
Në atë rast, ky shtet nuk do të stabilizohet për vite të tëra. Dhe do të ketë shumë qytetarë të Kosovës të cilët do të jenë në gjendje ta ‘amnistojnë’ UNMIK-un.
Rrethi po ngushtohet pra, gjithnjë e më shumë. Duket që do të bëhet lak. Për Kosovën. (Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)