Rreth inatit të përbashkuar

Gjendja në politikën shqiptare, në Kosovë dhe në Shqipëri, zbardhet me të tërat në një kuiz që emetohet thuaja për çdo mbramje në Top Channel, i titulluar: Për Vete.

Opinion

25/12/2013 09:40

Për ata që nuk e kanë parë asnjëherë këtë emision televiziv, bëhet fjalë për një kuiz ku marrin pjesë tre veta, të cilët nuk janë njohur më parë.

Ata kanë mundësi të fitojnë para, edhe nëse bëjnë tri gabime në përgjigjet e tyre. Në teori, pra, ata gjithsesi janë fitues.

Gjatë kuizit, në përpjekje për të gjetur përgjigjet e sakta, ata detyrohen të bashkëpunojnë, sepse kanë interesin a synimin e përbashkët. Detyrohen, pra, jo që duan të bashkëpunojnë. Kështu ndodh edhe sot e kësaj dite, në politikën shqiptare.

Rëndom, pjesëmarrësit tregojnë dije solide për thuaja të gjitha temat që dalin në shesh.

Kështu janë shqiptarët edhe në politikë: Nuk mund të thuhet dot që janë injorantë, apo që nuk e dinë se çka duhet bërë, në Kosovë dhe në Shqipëri, që këto dy shtete, dy shoqëri, të mbërrijnë në cakun e sigurimit final të ardhmënisë politike dhe ekonomike të këtyre dy vendeve, me hyrjen e tyre në Bashkimin Evropian.

Por, t’i kthehemi kuizit. Kur të përmbyllet ai, me një shumë parash të fituara, vjen çasti i të vërtetës.

Shuma e fituar nuk ndahet në tri hise të njëjta. Ai që ka dalë më i dituri, fiton më së shumti, i dyti më pak, i treti më së paku. Dhe këtë nuk e vendos dot moderatori i kuizit, por këtë duhet ta bëjnë vetë ata që ishin në këtë emision.

Ata i kanë 100 sekonda për të vendosur se si do ta bëjnë ndarjen e parave. Çdo sekondë i kaluar ‘gëlltit’ paratë, dhe në fund, nëse nuk arrihet marrëveshja për ndarjen e fitimit, ndodh bankrotimi i të treve, pra, dështimi kolektiv, sepse të tretë largohen nga studioja televizive me zero lekë në xhep. Apo, e tëra përmbyllet thuajse nuk ka ndodhur fare. Dija dhe puna shkon krejt kot.

A besoni që në raste shumë të rralla, një nga dhjetë-pesëmbëdhjetë, ka dakordim për ndarjen e fitimit midis tre protagonistëve, edhe pse thuaja gjithmonë është fare e qartë se cili prej tyre ishte më i dijshmi, e cili kontribuoi më së paku në rezultatin final?

Edhe pse nuk janë njohur fare më parë, ata, në këto raste, shumë më tepër preferojnë një humbje të plotë të të treve, se ndarjen e fitimit, qoftë edhe duke marrë atë shumën më të vogël.

Është tragji-komike të shohësh se si ata përpiqen ta bindin njeri-tjetrin, sepse kështu ua merr mendja, që pikërisht ai/ajo ka qenë më i/e merituar për suksesin e këtij ekipi treanëtarësh.

Nëse diç e tillë nuk ndodh, shfaqet kokëfortësia, inati i skajshëm, më në fund prehja në ngushëllimin e rremë që asnjeri nuk fitoi gjë, apo që të gjithë janë humbës.

Tmerr i vërtetë, pa asnjë skenë tmerri. Në fakt.

Skenat e këtilla të denja për kuizin Për Vete ngjajnë shpeshherë, në mos edhe çdo ditë, në politikën shqiptare në Kosovë dhe në Shqipëri. Sekush prej nesh që ka lexuar kujtimet e baballarëve të pavarësisë së Shqipërisë, i gjen ato gjatë gjithë rrugëtimit kombëtar të bërjes së Shqipërisë shtet, në vjeshtën e vitit 1912. Kështu ishte, në masë të madhe, edhe në ndërmarrjen e madhe të çlirimit të Kosovës, në vitin 1999. Ndërkombëtarët që na ndihmuan, si në vitin 1912, ashtu edhe në atë 1999, janë marrë më shumë me ne, si të na mbajnë bashkë për një kauzë qind për qind shqiptare, sesa me ata që ia kishin mësyrë të na shfarosin si komb.

Ndarja e ‘fitimit’ në këto raste, marrja e meritave, stolisja e gjoksit me dekorata që tek duhet të bëheshin, niste ende pa u kryer puna.

Nëse kjo nuk bëhej ashtu si mendohej prej shumicës dërrmuese të udhëheqësisë, më parë preferohej përmbytja kolektive, për të dhënë kështu material të bollshëm për këngë të reja epiko-patriotike, për tragjedinë që përcjell me mijëra vjet shqiptarët, sesa një marrëveshje për ndërtimin e vendit/ shtetit, tani, kur thuaja gjithçka varej prej nesh.

Aktualiteti politik këndej dhe andej një kufiri që nuk na ndan më fare (objektivisht) sjell dëshmitë e reja për këtë politikë vetërrënuese.

Në Shqipëri, ta zëmë, dështimi i Shqipërisë për ta marrë në këtë dhjetor statusin e shtetit kandidat për të hyrë në BE, po shërben për një qërim hesapesh ku përdoren të gjithë kalibrat e artilerisë së rëndë politike, me qëllim të fajësimit të njërës apo tjetrës palë për këtë humbje, e cila, megjithatë, ka karakter relativ, pra, mund të zhbëhet për gjashtë muaj. Inatet e ndërsjella, që u shfaqën me refuzimin e miratimit të tri ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, të kërkuara nga Brukseli, bënë që Shqipëria të humbë më parë një vit të plotë  (a më shumë), në këtë proces.

Në Kosovë, për shembull, tash e gati tre vjet flitet për reformën zgjedhore, e cila është kusht pa të cilin nuk bën, nëse duam të mbajmë zgjedhje parlamentare, dhe nëse duam të përmbyllim bisedimet për MSA-në (dhe të përshpejtojmë rrugëtimin kah BE-ja). Është shumë e lehtë të gjinden solucionet më të mira, por ato janë peng të mosdurimit dhe inateve që janë busollë të orientimit politik.

Shembuj të kësisojt ka me bollëk në Kosovë dhe në Shqipëri.

Në këtë mënyrë, në te dy anët e politikës shqiptare, gravitojmë kah zero-ja e pjesëmarrësve të kuizit Për Vete.

 

 (Autori është Nënkryetar i Parë i AAK’së. Kjo kolumne është shkruar enkas për lajmi.net)