Rreth dy orë diskutime për rendin e ditës, dështon mbledhja e KPK-së

Për rreth dy orë është diskutuar rendi i ditës në mbledhjen e sotme të Këshillit Prokurorial të Kosovës, por në fund nuk u miratua. Për më tepër, takimi është përcjellur me ndërprerje të energjisë elektrike dhe diskutime të gjata për pikat e rendit të ditës. Mbledhja e parë e këshillit me përbërjen e re u…

Lajme

20/01/2026 16:36

Për rreth dy orë është diskutuar rendi i ditës në mbledhjen e sotme të Këshillit Prokurorial të Kosovës, por në fund nuk u miratua. Për më tepër, takimi është përcjellur me ndërprerje të energjisë elektrike dhe diskutime të gjata për pikat e rendit të ditës.

Mbledhja e parë e këshillit me përbërjen e re u drejtua nga ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, në mungesë të kryesuesit të zgjedhur,

Duke pohuar fillimisht se ky takim ka karakter konstituiv dhe funksionalizues, Qalaj tha se ky rend dite është ndërtuar për të “garantuar ligjshmëri, stabilitet institucional dhe siguri juridike”.

Për këtë ka reaguar anëtari i Këshillit, Visar Krasniqi, i cili tha se në mbledhjen e sotme do të duhej të ishte pikë e rendit të ditës certifikimi i kandidates për anëtare, Elza Bajrami.

“Kam besuar që përbërja e re e Këshillit do të reflektojë që së paku të mos përsëris gabimet e njëjta që i ka bërë përbërja paraprake por si duket në mesin tonë ka ende anëtarë që e ndjekin mendësinë dhe logjikën e njëjtë si ajo që shkoi. Nga data 8 janar 2026 kam shkruar një email dhe kam kërkuar edhe përkrahjen e kolegëve tjerë dhe për të cilën kam pasur përkrahjen e kolegut Arian dhe Dardan që të ftohet takimi dhe të caktohet rendi i ditës me këtë rend ditë: certifikimi i kandidates fituese të zgjedhjeve të mbajtura më 1 nëntor 2025, zonja Elza Bajrami dhe pika e dytë që kam propozuar dhe që shkon edhe me të juajen është miratimi i rregullores për zgjedhjen e kryesuesit dhe zëvendëskryesuesit të KPK-së.

Sipas tij, ushtruesi i detyrës së kryesuesit të KPK-së ka bërë shkelje në aspektin procedural.

“Ju ushtrues detyre keni bërë dy shkelje sa i përket aspektit procedural, e para edhe pse u dakorduam nga dje për të thirr takimin për sot është dashur të quhet takim i jashtëzakonshëm sepse kështu quhet së paku kur e keni thirrur takimin ta quani takim i jashtëzakonshëm. Kurse, shkelja e dytë është e keni quajtur takimin e parë. Tani më lajmëroni të argumentojë pse nuk është takim i parë, unë në dorë e kam agjendën e takimit të 119 të KPK-së të datës 14 janar, kur Këshilli kishte kaluar nga përbërja nëntë anëtarëshe, në përbërje prej 13 anëtarë. Do të thotë ka pasur vazhdimësi”, shtoi ai.

Por Qalaj tha se çështja e certifikimit nuk lidhet me funksionalizimin e këshillit, meqenese, sipas tij, është objekt rrethanash të tjera.

“Renditja e pikave të rendit të ditës nuk është çështje preference, por çështje natyre procedurale, kjo mbledhje ka karakter konstituiv dhe funksionalizues. Për këtë arsye, pikat që lidhen me krijimin e parakushteve institucionale, miratimi i rregullores dhe inicimi i procedurës për zgjedhjen e organeve udhëheqëse trajtohen të parat. Çështja e certifikimit që ju e propozoni nuk lidhet me funksionalizimin fillestar të këshillit dhe është objekt rrethanash procedurale dhe gjyqësore aktive. Për këtë arsye ajo nuk mund të vendoset si pikë e parë e rendit të ditës. Ky është vlerësim procedural, institucional dhe jo vlerësim politik apo personal”, ka thënë Qalaj.

Për këtë ka reaguar edhe anëtari tjetër i KPK-së, Arian Gashi, i cili tha se nuk është pajisur me opinion ligjor.

“Ajo çka unë e pash nga fjalimi fillestar në këtë çështje thatë se keni një opinion ligjor, unë si anëtar i KPK-së, nuk e di për kolegët e mi mund të deklarohen secili për vetën e tij, për hir të opinionit publik, unë nuk jam i pajisur me një opinion të tillë ligjor, nuk e kam pranë vetës dhe nuk e di për çfarë opinioni bëhet fjalë. Nëse ka një opininin të tillë do të ishte mirë që ti të na pajisesh neve me atë opinion, sepse ne nuk e dimë. Ta dimë se çfarë përmban ai opinion, kush e ka lëshuar atë opinion, derisa ne ta sigurojmë një kopje të opinionit unë kam dy pyetje për ju, nga kush keni marrë autorizimin për sigurimin e këtij opinioni, sepse kjo çështje në këshill asnjëherë nuk është diskutuar dhe pse neve ky opinion ligjor nuk na ka ardhur zyrtarisht përmes arkivit”, u shpreh ai.

Edhe anëtari, Dardan Foniqi ka përkrahur kërkesën e anëtarit Krasniqi.

“Ndjej keqardhje për protagonizmin e këtij takimi, megjithatë ajo që kemi dërguar në email nuk ka pasur karakter të nivelit diskrecional, por ka pasur karakter të natyrës detyruese për shkak që ne kemi votuar tre anëtarë. Duke qëndruar prapa bashkë propozimit të kolegut Visar, natyrisht e mbështes ashtu siç e kam mbështetur edhe në email-in paraprake”, shtoi ai.

Pas këtij diskutimi, propozimi për certifikimin e kandidates Elza Bajrami të tre anëtarëve – Visar Krasniqi, Dardan Foniqi dhe Arian Gashi, është futur në rendin e ditë si pikë e tretë.

“Qëndrimi im institucional ka qenë dhe mbetet se çështja e certifikimit nuk përbën pjesë të objektit funksionalizues për të cilin është thirrur kjo mbledhje e parë e këshillit. Megjithatë, duke marrë parasysh se tre anëtarë të këshillit kanë shprehur në mënyrë të përsëritur kërkesën që kjo çështje të trajtohet në këtë seancë si dhe me qëllim të garantimit të transparencës, lirisë së shprehjes së qëndrimeve dhe të drejtës së çdo anëtari për të paraqitur propozimet e tij para organit kolegjial, vendos që këtë propozim ta lejojë për diskutim dhe procedim në rend të ditës, si pikë e tretë e rendit të ditës. Kjo nënkupton paraprakisht pajtim institucional në përmbajtjen juridike të propozimit por ka për qëllim ekskluzivisht që këshilli si organ kolegjial të ketë mundësinë ta trajtojë këtë çështje në mënyrë të hapur, transparente dhe në përputhje me rregullat e vendimmarrjes”, deklaroi ai.

Sërish reagoi anëtari Visar Krasniqi, i cili shprehu kundërshtinë për rendin e ditës.

“Pse po e qet në votim propozimin tuaj personal e nuk po e qet të tre anëtarëve s’po e kuptoj. Kjo është abuzim me ulësen tënde kryesues. Tre anëtarë të këshillit po kërkojnë me qit në votim propozimin… Kjo është e qartë se keni ardhur me këtë ide për të bllokuar këshillin, nuk është e re diçka për mua, është e pritshme. Sepse kjo është mendësi e njëjtë si ajo paraprakja”, tha Krasniqi.

Qalaj, më pas i vendosi për votim këto pika të rendit të ditës, të cilat nuk arritën të miratohen.

“Meqë nuk u miratua rendi i ditës, meqë nuk pati shumicën e kërkuar nga ligji, këtu takimi përfundon. Dhe nuk ka më asnjë diskutim sepse nuk lëshohemi në çështjet të cilat nuk janë në rend të ditës. Takimi i radhës do t’ju bëhet me thirrje zyrtare për të ardhmen. Këtu takimi mbyllet”, tha Qalaj.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit, në rend dite ka qenë shqyrtimi dhe miratimi i rregullores për zgjedhjen e kryesuesit dhe zëvendëskryesuesit të KPK-së në përputhje me Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

E më pas edhe vendimi për shpalljen e thirrjes publike për kandidatura për kryesues dhe zëvendëskryesues të Këshillit Prokurorial të Kosovës./kp