Rreth 200 pacientë brenda ditës në QKMF-në e Prishtinës për shkak të viruseve sezonale
Numri i pacientëve që kërkojnë trajtim brenda ditës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) arrin mesatarisht nga 180 deri në 190 pacientë. Kështu ka bërë të ditur Zëvendësdrejtori i QKMF-së në Prishtinë, Rrezart Halili. Ai thotë se gjatë një jave kjo shifër arrin në rreth 850 pacientë. “Numri i pacientëve në njësinë e Mjekësisë…

Lajme
Numri i pacientëve që kërkojnë trajtim brenda ditës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) arrin mesatarisht nga 180 deri në 190 pacientë.
Kështu ka bërë të ditur Zëvendësdrejtori i QKMF-së në Prishtinë, Rrezart Halili.
Ai thotë se gjatë një jave kjo shifër arrin në rreth 850 pacientë.
“Numri i pacientëve në njësinë e Mjekësisë Familjare ne QKMF mesatarisht brenda një dite është rreth 180 deri 190 pacientë. Mesatarja e pacientëve brenda një jave është rreth 850 pacient”, ka thënë Halili.
Ai bëri të ditur se gjatë muajit korrik nuk është vërejtur ndonjë rritje e theksuar e fluksit të pacientëve.
“Gjatë muajit korrik nuk është vërejtur ndonjë rritje e fluksit më të madh të pacientëve. Këto dite kemi pas raste të ftohjes të zakonshme apo riniti viral si dhe barkqitjeve te fëmijët”, tha ai.
Rrezart Halili, doktor në QKMF bën të ditur se pacientët më të ndjeshëm ndaj viruseve sezonale janë personat që kanë imunitet më të brishtë ose gjendje shëndetësore të veçanta.
“Grup moshat më të ndjeshme janë fëmijët deri ne 5 vjet, posaçërisht fëmijët e vegjël deri në dy vjeç, gratë shtatzëna, të moshuarit mbi 65 vjeç si dhe personat me sëmundje kronike si Diabet, sëmundje të zemrës, veshkave, sëmundje të frymëmarrjes etj.”, tha ai.
Zëvendësdrejtori i QKMF-së, doktori Rrezart Halili thotë se gjatë stinës së verës, bark qitjet dhe të vjellat paraqiten shpesh tek fëmijët dhe janë ndër shqetësimet më të zakonshme të kësaj periudhe.
Ai tregon shkaktarët më të zakonshëm.
“Bark qitjet (diarreja) dhe të vjellat tek fëmijët gjatë stinës së verës janë shqetësime më të zakonshme tek fëmijët që mund të shkaktohen nga disa faktorë. Ja disa nga shkaqet, si dhe mënyrat për të trajtuar dhe parandaluar këto simptoma:
Sot, kur përdoren teknika të gjera diagnostike, një shkaktar gjendet në 60%-80% të rasteve.
Shumë agjentë infektivë të diarresë janë të zakonshëm mund të shkaktojnë diarre në fëmijëri gjithashtu, duke përfshirë:
Viruset Rotaviruset, adenoviruset enterike, norovirus, astroviruset dhe kaliciviruset.
Patogjenë të rëndësishëm bakterial përfshijnë Salmonella, Shigella, Yersinia, Campylobacter dhe shtame të caktuara të Escherichia coli.
Shkaqet e zakonshme parazitare të diarresë përfshijnë: Giardia, Entamoeba histolytica”, thotë Halili.
Doktori thotë se pavarësisht shkaktarëve të ndryshëm të infeksioneve gastrointestinale, qasja kryesore në trajtim mbetet e njëjtë.
“Pavarësisht gamës së gjerë të organizmave të lidhur me infeksionet gastrointestinale, baza kryesore e trajtimit të një personi me diarre akute ujore është terapia e përshtatshme me lëngje dhe elektrolite dhe menaxhimi ushqimor”, tha Halili.
Doktori Rrezart Halilit, shpjegon se ftohja e zakonshme është një infeksion i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes që shkaktohet nga disa familje virusesh.
“Ftohja e zakonshme është një infeksion i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes që shkaktohet nga disa familje virusesh. Brenda këtyre familjeve janë identifikuar mbi 200 virus specifik që mund të shkaktojë ftohjen e zakonshme”, ka sqaruar Halili.
Halili, thotë se familja virusale që shkakton shumicën e ftohjeve është rinovirusi, mirëpo ka edhe viruse të tjera shkaktarë të infeksioneve të frymëmarrjes.
“Familja virusale që shkakton shumicën e ftohjeve quhet rinovirus. Rinovirusët shkaktojnë deri në 40% të ftohjeve, dhe kjo familje përfshin të paktën 100 lloj të veçantë virusesh. Familjet e tjera të rëndësishme virusale që infektojnë rrugët e sipërme të frymëmarrjes janë quajtur coronavirus, adenovirus dhe virusi sinkitial respirator”, tha ai.
Sipas doktorit Halili deri tani nuk ka qenë e mundur të zhvillohet një vaksinë për ftohjen e zakonshme.
“Duke qenë se ka kaq shumë viruse që mund të shkaktojnë simptomat e ftohjes, zhvillimi i një vaksine për ftohjen e zakonshme nuk është bërë i mundur”, shtoi Halili.
Ai thotë se rreth 50% e pacientëve zhvillojnë dhimbje të fytit, e cila shpesh është simptoma e parë dhe shfaqet brenda rreth 10 orëve pas infeksionit, dhe sqaron edhe simptomat e tjera pas kësaj.
“Ftohja e zakonshme shkakton një grup simptomash që janë lehtësisht të dallueshme si nga pacientët ashtu edhe nga mjekët. Rreth 50% e pacientëve zhvillojnë dhimbje të fytit, e cila shpesh është simptoma e parë që shfaqet, pasi mund të ndodhë që 10 orë pas infeksionit. Pas kësaj, shfaqet bllokimi i hundës dhe sinuseve, rrjedhja e hundës dhe teshtitja. Po ashtu, mund të ndodhë ngjirja e zërit dhe kollitja, e cila ndonjëherë mund të zgjasë më shumë se simptomat e tjera, madje për disa javë. Temperaturat e larta janë të rralla në rastin e ftohjes së zakonshme”, sqaroi ai.
Halili, shpjegon se ftohja e zakonshme transmetohet kryesisht përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me një person të infektuar.
“Ftohja e zakonshme transmetohet më shpesh përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me mikrobet nga hunda, goja ose pikat e kollitjes dhe teshtimës së një personi të infektuar, zakonisht përmes kontaktit dorë më dorë “, ka shtuar ai.