Rreth 20 fëmijë në ditë kërkojnë ndihmë mjekësore në pediatri
Rreth 20 fëmijë në ditë kërkojnë ndihmë mjekësore në Klinikën e Pediatrisë në QKUK, kurse këto ditë ky numër është shtuar për shkak të temperaturave të larta, ka bërë të ditur për Radio Kosovën drejtori i klinikës, Muharrem Avdiu.
Lajme
Klinika e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) çdo ditë pranon rreth 20 pacientë, të cilët kërkojnë ndihmë mjekësore.
Drejtori i Klinikës së Pediatrisë, Muharrem Avdiu, tha se aktualisht është shtuar numri i pacientëve për shkak të temperaturave të larta që kanë arritur në Kosovë.
“Mesatarisht mbi 20 raste brenda 24 orëve i kemi rregullisht që i pranojmë në Klinikën e Pediatrisë për trajtim. Rrethanat e caktuara klimatike, ndryshime të motit, si në të ftohtë kur jemi në periudhën e dimrit edhe në të nxehtë…konsiderojmë që kemi numër të shtuar të rasteve”, tha ai.
Avdiu ka thënë se edhe numri i pacientëve, të cilët hospitalizohen në këtë repart, çdo vit shënon rritje.
Drejtori, Avdiu, thotë se spitali që drejton qëndron më mirë edhe sa i përket kushteve sanitare dhe furnizimit me barëra krahasuar me vitet e kaluara.
Ofrimin e kushteve të mira e pohuan edhe pacientët, të cilët ishin të shtrirë në këtë spital.
Edhe Hylmete Fazliu, e cila kujdesej për djalin e saj, u shpreh e kënaqur me kushtet dhe shërbimin e stafit në këtë klinikë.
“Mirë është, në bazë të kushteve qysh i kemi mirë, mirë, nuk është keq, pastërti boll, me mëngjes kanë ardhur na i kanë pastruar dhomat, boll mirë, këto motrat kaq sa kanë mundësi, shumë mirë”, tha ajo.
Njëjtë pohoi edhe nëna e një pacienti, e cila nuk deshi t’i publikohej emri.
“Me kushtet këtu në Klinikën e Pediatrisë jemi të kënaqur, kushtet janë të mira, stafi është shumë i mirë, pastërtia është në nivel tjetër, s’po di!”, tha ai.
Në Klinikën e Pediatrisë me vite të tëra nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes së pacientëve. /RTLlive/