Rreth 2 milionë e gjysmë për deputetët me “duar në xhepa”

Viti 2025 ishte vit i bllokadës politike dhe i zgjedhjeve. Dy palë zgjedhje u organizuan për Kuvend dhe dy herë qytetarët dolën për të votuar në zgjedhjet lokale.Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës, prej prillit kur e nisi punën e deri në nëntor, funksionoi në bllokadë: fillimisht nuk arriti të konstituohej, e më pas…

Lajme

26/01/2026 11:51

Viti 2025 ishte vit i bllokadës politike dhe i zgjedhjeve.

Dy palë zgjedhje u organizuan për Kuvend dhe dy herë qytetarët dolën për të votuar në zgjedhjet lokale.Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës, prej prillit kur e nisi punën e deri në nëntor, funksionoi në bllokadë: fillimisht nuk arriti të konstituohej, e më pas dështoi edhe në zgjedhjen e Qeverisë së re, çka solli zgjedhjet e parakohshme të 28.12.2025.

Megjithatë, deputetët pagat i morën. Ata buxhetit të Kosovës, për këtë vit të çuar dëm, i kushtuan gati 2 milionë e 500 mijë euro.Deri në mars 2025, deputetëve të legjislaturës së tetë u rridhte paga, pastaj, me fillimin e punës së legjislaturës së nëntë, nisi rrjedhja e pagave për deputetët e rinj (përveç atyre që kishin edhe poste në Qeveri). Ndërkaq, pas shpërndarjes së Kuvendit, pagë kalimtare morën 67 deputetë dhe anëtarët e Kryesisë që vazhdojnë të mbajnë mandatin.

Për 12 muajt e vitit 2025, deputetët “me duar në xhepa”, u kushtuan taksapaguesve 2 milionë e 443 mijë e 826 euro.Këtë e ka mësuar KALLXO.com përmes një kërkese për qasje në dokumente publike nga Kuvendi i Kosovës

Bllokada politike e vitit 2025

Me gjithë përplasjet, deputetët e legjislaturës së nëntë arritën të kryejnë vetëm një punë: atë të zgjedhjes së Kryesisë së Kuvendit. Por, më 19.11.2025, dhjetë ditë pasi kaluan nëntë muaj nga përfundimi i zgjedhjeve të 09.02.2025, ky Kuvend dështoi përfundimisht të zgjedh qeverinë e re- në përpjekjen e dytë dhe të fundit.Kjo legjislaturë, për herë të parë u mblodh më 15.04.2025. Gjatë asaj dite, Kuvendi i udhëhequr nga deputeti më i vjetër në moshë, Avni Dehari kërkoi formimin e Komisionit për verifikimin e mandateve të deputetëve- ashtu siç parashihet me Rregullore të Kuvendit- e po të njëjtën ditë raporti i këtij komisioni nuk kaloi dhe seanca u ndërpre për të vazhduar një sagë prej gjashtë muajsh për konstituimin e vetvetes.

Fillimisht deputetët nuk votuan mandatet e veta për shkak se PDK, LDK e AAK konsideronin që nuk duheshin votuar mandatet e Albin Kurtit dhe ministrave të kabinetit të tij qeveritar që mbanin edhe pozitën e deputetit edhe të anëtarit të qeverisë.“Nuk do të lejojmë që të fillojë legjislatura e re me shkelje të Kushtetutës. Kurti le të japë dorëheqje. Me pasë dhanë betimin sot, ish kanë edhe Kryeministër, edhe deputet.” – kishte thënë kryetari i atëhershëm i PDK-së, Memli Krasniqi, pas ndërprerjes së seancës konstituive.“Një i zgjedhur nuk mund të jetë Kryeministër edhe deputet.

Zgjidhja është e thjeshtë- ata të japin dorëheqje dhe të ulen në ulësen e Kuvendit të Kosovës”- kishte deklaruar ndërkaq Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së.Megjithatë më 19.04.2025, deputetët e kaluan këtë ngërç dhe votuan mandatet, me ç’rast e kryen edhe betimin si deputetë të kësaj legjislature.Pas votimit të raportit të këtij Komisioni, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami kishte deklaruar se si grup parlamentar nuk kanë ndryshuar qëndrim, porse Komisioni për Verifikimin e Mandateve ka bërë evidentimin e deklaratave publike të qeveritarëve dhe të njëjtat i ka pranuar si dorëheqje.

“Komisioni për Verifikimin e Mandateve i ka njohur si faktike dorëheqjet deklarative të kryeministrit dhe ministrave, që do të thotë nga data 27 mars kur është bë certifikimi i zgjedhjeve, të gjithë këta që sot e kanë bo betimin kanë bërë shkelje duke e ushtru funksionin e kryeministrit dhe ministrave dhe LDK do të bëj kallëzim penal lidhur me ushtrimin e mandatit që këta e kanë bë nga data 27 mars deri më sot. Kjo është, ne nuk kemi ndërru qëndrim”- kishte thënë ajo.

Menjëherë pas betimit, filloi ngërçi i ri institucional. Lëvizja Vetëvendosje si partia e parë e dalë nga zgjedhjet, propozonte Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit e Haxhiu nuk i merrte votat e mjaftueshme.Gjashtë herë dështoi ajo, e më pas, kryesuesi i seancës konstituive Avni Dehari propozoi një komision për votim të fshehtë për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit.Ky komision votohej çdo 48 orë dhe çdo 48 orë nuk kalonte në Kuvend. Kjo pasi që deputetët e partive të ish-opozitës e konsideronin atë si jokushtetues.

Madje, më 12.05.2025, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e dërgoi në Gjykatë Kushtetuese çështjen e komisionit të fshehtë. Kjo Gjykatë më 26.06.2025 vendosi t’u jep afat 30 ditë deputetëve për të konstituuar Kuvendin.“Duhet që sa më shpejt dhe jo më vonë se tridhjetë (30) ditë të përfundojnë Seancën Konstituive të Kuvendit duke zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët e tij.”- kishte thënë Gjykata në dispozitivin e aktgjykimitPas këtij aktgjykimi, më 28.06.2025 liderët e partive politike, zhvilluan një takim për të gjetur mënyrën për të dalë nga ngërçi, megjithatë kjo përpjekje doli e pasuksesshme.Në seancë konstituive, Avni Dehari, vazhdonte të propozonte komisionin për votim të fshehtë, i cili nuk miratohej nga deputetët.Më 24.07.2025 Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme, pasi që PDK e LDK kishin dërguar lëndë të reja për konstituimin e Kuvendit. Pas kësaj mase, më 18.08.2025, Gjykata doli me aktgjykim.Kushtetuesja iu kishte dhënë deputetëve përsëri afat prej 30 ditësh për të zgjedhur kryeparlamentarin e ri përmes votimit të hapur, duke përcaktuar se i njëjti kandidat mund të votohet vetëm tri herë dhe se të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në votim.Pas kësaj, më 26.08.2025, deputetët e legjislaturës së nëntë zgjodhën Dimal Bashën kryetar të Kuvendit, zgjodhi nënkryetarët Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku, Kujtim Shala dhe Emilja Rexhepi.Telashet me zgjedhjen e nënkryetarit.

Menjëherë pas zgjedhjes së tij, filloi një ngërç i ri në Kuvend, ajo për zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb, kjo pasi që votimi për nënkryetarët nga komunitetet joshumicë u nda si procedurë në Kuvend.LVV së bashku me pakicat joserbe nuk votonin asnjë kandidat nga radhët e Listës Serbe kurse i vetmi kandidat nga një parti tjetër, Nenad Rashiq nuk merrte votat e Listës Serbe dhe të partive tjera shqiptare.Me konsumimin e nga tri herë të kandidaturave, kryetari i Kuvendit Dimal Basha më 28.08.2025 e shpalli të mbyllur seancën konstituive, duke thënë se duhet të vazhdohet me punën e Kuvendit.

Ai thirri mbledhje të Kryesisë më 01.09.2025 për t’u konsultuar se si të vazhdohet tutje por që kjo mbledhje dështoi për shkak se nuk kishte kuorum, pasi nënkryetarët Çitaku e Shala e bojkotuan mbledhjen me arsyetimin se nuk është kushtetues.Më 05.09.2025, Gjykata Kushtetuese vendosi masë tjetër të përkohshme, pas ankesës së Listës Serbe të cilët kërkuan që votimi për nënkryetarët nga partitë e komuniteteve joshumicë të kthehet në pikën zero, të zhvillohet në mënyrë të unifikuar, apo thënë ndryshe në “pako”, dhe të vendoset masë e përkohshme, në mënyrë që mos të hapet rrugë për rrjedhjen e afateve për formimin e Qeverisë.

Kushtetuesja, doli me aktgjykim për këtë kërkesë tek më 08.10.2025, duke thënë se ndarja e procedurës nuk është kundërkushtetuese, dhe konstatoi se seanca konstituive nuk është përfunduar.Deputetët u mblodhën më 10.10.2025 dhe zgjodhën Nenad Rashiqin nënkryetar të Kuvendit edhe me votat e LDK-së. Në ndërkohë, më 16.10.2025, Lista Serbe iu drejtua përsëri Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë, duke e konsideruar kundërkushtetuese zgjedhjen e Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit. Për këtë kërkesë, Kushtetuesja ende nuk ka dalë me aktgjykim.Më 11.10.2025 Presidentja Vjosa Osmani i dha mandatin Albin Kurtit për të formuar qeverinë, e ky i fundit dështoi në Kuvend më 26.10.2025 në ditën e fundit të afatit 15 ditësh për formim të Qeverisë.

Presidentja Vjosa Osmani, më 04.11.2025 mandatoi Glauk Konjufcën për Kryeministër, si i vetmi i propozuar për mandatar të dytë, teksa partitë PDK, LDK e AAK kërkonin zgjedhje të reja.

Konjufca, në ditën e fundit të afatit 15 ditësh, më 19.11.2025 dështoi të formoj qeverinë e re, me ç’rast nuk mori votat e mjaftueshme në Kuvend. Në ora 11:00, dy orë para votimit të Qeverisë Konjufca, LVV kishte thirrur seancë të jashtëzakonshme më nëntë pika të rendit të ditës. Rendi i ditës përfshinte edhe formimin e komisioneve parlamentare, shqyrtimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, Buxhetin 2026, për RTK dhe për buxhetet për tri komuna.PDK, LDK, AAK, NISMA e Lista Serbe kishin bojkotuar këtë seancë, e cila u përshkua nga një debat mes deputetit të vetëm të PDK-së, Përparim Gruda i cili mbajti një fjalim e më pas lëshoi sallën, me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kjo seancë ishte ndërprerë por kishte mbetur e hapur në rast se deputetët ndryshojnë qëndrime por që kjo nuk ndodhi.Të nesërmen, pas një takimi me liderët e partive politike, Presidentja Vjosa Osmani, më 20.11.2025 shpërndau legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës dhe shpalli zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 28.12.2025.Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kishte deklaruar në një konferencë për media se në takimin e asaj dite ka bërë përpjekje që partitë të miratojnë zgjatjet buxhetore, por sipas saj nuk ka pasur vullnet për dakordim.“Nuk pati dakordim. Kuvendi tashmë është i shpërndarë”- kishte deklaruar ajo dhe caktoi 28 dhjetorin 2025 si datë për zgjedhje të parakohshme.