Rreth 2.83 për qind e fletëvotimeve në zgjedhjet e fundit ishin të pavlefshme
Fenomeni i fletëvotimeve të pavlefshme dhe të zbrazëta vazhdon të shfaqet në proceset zgjedhore në Republikën e Kosovës. Edhe në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 9 shkurt 2025, u regjistruan fletëvotime të tilla dhe sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve bëhet fjalë për më shumë se 27 mijë.…

Lajme
Fenomeni i fletëvotimeve të pavlefshme dhe të zbrazëta vazhdon të shfaqet në proceset zgjedhore në Republikën e Kosovës.
Edhe në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 9 shkurt 2025, u regjistruan fletëvotime të tilla dhe sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve bëhet fjalë për më shumë se 27 mijë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar se nga numri i përgjithshëm i votuesve që votuan në vendvotimet e rregullta, vendvotimet me kusht dhe në votimin jashtë Kosovës, 2.83 për qind e fletëvotimeve ishin të pavlefshme apo të zbrazëta.
“Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me shpalljen e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, nga 966 mijë e 283 votues që votuan në vendvotime në Kosovë, me kusht apo në votimin jashtë Kosovës, u regjistruan 27 mijë e 433 fletëvotime të pavlefshme dhe të zbrazëta. Pra, në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 9 shkurt 2025, 2.83 për qind e fletëvotimeve janë të pavlefshme dhe të zbrazëta”, tha Elezi.
Sipas Elezit, nëse këto të dhëna krahasohen me të gjitha proceset zgjedhore (2007, 2010, 2014, 2017, 2019 dhe 2021) në të cilat është aplikuar sistemi zgjedhor me lista të hapura, pra ku votuesit kanë zgjedhur subjektin politik dhe kandidatët për deputetë, atëherë në zgjedhjet e 9 shkurtit është regjistruar numri dhe përqinjda më e ulët e fletëvotimeve të kësaj natyre.
“Nëse këto të dhëna krahasohen me ato të proceseve të kaluara zgjedhore për Kuvendin e Kosovës nga viti 2007 deri në vitin 2021, pra në të cilat është aplikuar sistemi zgjedhor me lista të hapura, mund të themi se kjo mbetet përqindja më e ulët e fletëvotimeve të pavlefshme dhe të zbrazëta. Vetëm në dy proceset zgjedhore, të vitit 2001 dhe 2004, në të cilat është aplikuar sistemi zgjedhor me lista të mbyllura, pra ku votuesit kanë përzgjedhur vetëm subjektin politik, por jo edhe kandidatët, është shënuar përqindja më e ulët e fletëvotimeve të tilla, e cila ka qenë nën 2 për qind”, ka shtuar Elezi.
Sipas analizave të KQZ-së, pjesa më e madhe e fletëvotimeve të pavlefshme është për shkak se votuesit përzgjedhin vetëm kandidatët për deputetë, por jo edhe subjektin politik apo kur zgjedhin më shumë se një subjekt politik.
Sipas të dhënave të KQZ-së, në zgjedhjet e para për Kuvendin e Kosovës të vitit 2001, numri i fletëvotimeve të pavlefshme dhe të zbrazëta ishte 1.93% apo 15,493. Përqindje më e ulët ishte shënuar edhe në zgjedhjet e vitit 2004 dhe sipas KQZ-së ishin regjistruar vetëm 1.35% fletëvotime të pavlefshme dhe të zbrazëta apo 9,430.
Me ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe hapjen e listave, çka do të thotë se votuesit përveç subjektit politik mund të zgjedhnin edhe kandidatët për deputetë, filloi të shtohej numri i fletëvotimeve të pavlefshme.
Përqindja më e lartë e fletëvotimeve të pavlefshme dhe të zbrazëta është regjistruar në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të vitit 2007, të cilat u mbajtën në të njëjtën ditë me Zgjedhjet për Kryetar Komune dhe për Kuvende Komunale. Në Zgjedhjet për Kuvend të vitit 2007, 9.05% apo 56,683 fletëvotime u regjistruan si të pavlefshme dhe të zbrazëta.
Kjo përqindje e fletëvotimeve të pavlefshme filloi të bie në vitet pasuese, por sërish mbeti e lartë.
Në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës (2010) u regjistruan 34.006 (4.59%) fletëvotime të pavlefshme dhe të zbrazëta dhe gati po aq edhe në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës (2014) kur u regjistruan 35,567 (4.62%) fletëvotime të tilla.
Në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të vitit 2017 kjo shifër u rrit në 6.30% apo 49,107 fletëvotime të pavlefshme dhe të zbrazëta.
Në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, që u mbajtën më 6 tetor 2019, KQZ regjistroi 33,271 apo 3.80% fletëvotime të pavlefshme dhe të zbrazëta dhe pothuajse aq edhe në procesin pasues, në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të 14 shkurtit 2021, nga ku 32,756 (3.62%) fletëvotime u evidentuan si të pavlefshme dhe të zbrazëta.