Rreth 16 milionë euro u importua armaturë gjatë vitit 2017

Mungesa e fabrikave të prodhimit të armaturës në Kosovë dhe mundësia e vogël që ofrohet për ta realizuar këtë, domosdoshmërisht shtyn kompanitë vendore të ndërtimit që të importojnë këtë material. Kjo ka bërë që kompanitë të hulumtojnë për këtë material dhe të importojnë që nga vendet fqinje deri te Japonia.

Lajme

06/04/2018 11:38

E, ky material gjatë viti 2017 është importuar në Kosovë nga 15 shtete, në sasi mbi 33 mijë tonësh (33,925.46), e që kapin vlerën totale afër 16 milionë euro (15,902,957.98).

Nga kjo shumë totale 9 milionë e 63 mijë euro është vlera e importit vetëm nga Bosnja dhe Hercegovina, për tu pasuar nga Shqipëria me 3 milionë e 679 mijë, Greqia 2 milionë  e 656 mijë euro dhe Italia me 1 milionë e 258 mijë euro, shkruan Ndërtimi.info.

Derisa këto shtete kanë fituar miliona nga kompanitë kosovare të ndërtimit, vetëm nga armatura, dy të tjera nuk kanë fituar as 100 euro. Gjatë një viti nga Spanja vlera e importit një lloj armature arrin në 64 euro, derisa nga Polonia vetëm 37 euro.

Sipas të dhënave që Ndërtimi.info ka siguruar nga Dogana e Kosovës, armaturë gjatë vitit 2017 është importuar edhe nga Moldavia me vlerë 576 mijë e 382 euro, importi nga Ukraina kap shumën  22 mijë e 805 euro, ndërsa nga shteti fqinj Serbia është importuar armaturë në vlerë 15 mijë e 819 euro, derisa Gjermania 1 mijë e 319 euro.

Mirëpo, ka vende që Kosova gjatë këtij viti ka importuar këtë material ndërtimor në vlerën nën një mijë euro. E, kjo ka ndodhur me Republikën Çeke, nga e cila vlera e importit është 868 euro, nga Kina 749 euro, nga Japonia 126 euro dhe nga Austria 107 euro./Ndërtimi.info