Rreth 1 milion euro për ilaçin e rriqrave apo të morrave? AUV jep përgjigje pas raportimeve

Në media është raportuar se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, kanë blerë në vlerë afro 1 milion euro ilaç të morrave në vend se të blinin ilaç të rriqrave për parandalimin e sëmundjes Ethet Hemorragjike Krime-Kongo. Në lidhje me këtë, zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi ka thënë për lajmi.net…

Lajme

30/04/2025 16:00

Në media është raportuar se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, kanë blerë në vlerë afro 1 milion euro ilaç të morrave në vend se të blinin ilaç të rriqrave për parandalimin e sëmundjes Ethet Hemorragjike Krime-Kongo.

Në lidhje me këtë, zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi ka thënë për lajmi.net se ata kanë zbatuar Projektin Ndërqeveritar për parandalimin, kontrollin dhe çrrënjosjen e sëmundjes Ethet Hemorragjike Krime-Kongo në komunat endemike si Malisheva, Rahoveci dhe disa fshatra të komunës së Klinës dhe Suharekës, përmes realizimit të aktivitetit të repelimit të kafshëve në fermat blegtorale.

Në lidhje me preparatin e përdorur në këtë aktivitet, Thaçi ka thënë se ishte “Deltanil Pour-On”, nga prodhuesi Virbac, Francë i cili sipas tij është një produkt veterinar i regjistruar në Regjistrin e Produkteve Medicinale Veterinare dhe përdoret kryesisht për kontrollin e ektoparazitëve te kafshët në ferma.

Thaçi ka thënë se preparati është përdorur për repelimin e kafshëve si masë parandaluese kundër EHKK-së.

“Substanca aktive e këtij preparati është Deltamethrin, e cila ka veprim insekticid dhe akaricid, duke ndikuar në parandalimin dhe largimin e parazitëve të jashtëm si rriqrat, mizat dhe morrat te kafshët shtëpiake: gjedhët, delet dhe dhitë (dythundrakët), dhe në raste të veçanta, edhe te kuajt (njëthundrakët). Preparati i përdorur ka ofruar siguri, cilësi dhe efikasitet të lartë, ndërsa karenca e tij pas përdorimit është në përputhje me standardet e kërkuara për substancat aktive dhe limitet maksimale të lejuara në produktet me prejardhje shtazore. Të gjitha preparatet e përdorura nga AUV që nga viti 2013 për repelimin e kafshëve kanë pasur të njëjtën substancë aktive. Suksesi i zbatimit të këtyre masave në komunat e përmendura ka rezultuar që deri më tani të mos kemi humbje jete nga kjo sëmundje, e cila mbetet nën kontroll”, ka thënë Thaçi për lajmi.net.