Rrënimi i shtëpive në Ujman, pas BE-së dhe Gjermanisë reagon edhe Italia: Kërkohet kujdes nga institucionet e Kosovës

Aksioni për rrënimin e njëmbëdhjetë shtëpive në bregun e Liqenit të Ujmanit ka nxitur reagime ndërkombëtare, pasi pas Bashkimit Evropian dhe Gjermanisë, shqetësimin e saj e ka shprehur edhe Italia. Gjatë ditës së djeshme, disa ekskavatorë, nën asistimin e Policisë së Kosovës, nisën rrënimin e objekteve në zonën e Zubin Potokut, duke hapur debat për…

Lajme

22/07/2026 15:15

Aksioni për rrënimin e njëmbëdhjetë shtëpive në bregun e Liqenit të Ujmanit ka nxitur reagime ndërkombëtare, pasi pas Bashkimit Evropian dhe Gjermanisë, shqetësimin e saj e ka shprehur edhe Italia.

Gjatë ditës së djeshme, disa ekskavatorë, nën asistimin e Policisë së Kosovës, nisën rrënimin e objekteve në zonën e Zubin Potokut, duke hapur debat për çështjet pronësore dhe kompetencat institucionale, shkruan lajmi.net.

Ambasada e Italisë në Prishtinë ka deklaruar se i bashkohet qëndrimit të Bashkimit Evropian për këtë çështje, duke shprehur shqetësim për veprimet e ndërmarra.

“Ambasada e Italisë në Prishtinë i bashkohet BE-së në shprehjen e brengës për rrënimin e shtëpive në Liqenin e Ujmanit”, është thënë në reagimin e ambasadës.

Ndërkohë, autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se objektet e rrënuara janë ndërtuar pa leje në pronën që administrohet nga Ndërmarrja Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”.

Në anën tjetër, pronarët e këtyre objekteve pretendojnë se prona është pjesë e një procesi gjyqësor dhe se ndërhyrja për rrënim nuk është dashur të bëhej pa përfunduar procedurat ligjore.

Rasti ka rikthyer diskutimet për trajtimin e pronave në zonën e Liqenit të Ujmanit, ndërsa pritet të vazhdojnë reagimet dhe sqarimet nga institucionet përgjegjëse. /Lajmi.net/