Rregullojeni ujin në Prishtinë, lëreni puçin

Milazim Krasniqi i thotë Vetëvendosjes të merret me rregullimin e furnizimit të Prishtinës me ujë, në vend se të përpiqet “ta rregullojë” Universitetin. Sipas tij, furnizimi me ujë në kryeqytet është më i keq se në kohën e Isa Mustafës.

Lajme

04/02/2014 11:35

Analisti Milazim Krasniqi nuk ka fije dyshimi që Lëvizja Vetëvendosje qëndron prapa protestës së studentëve që po kërkojnë dorëheqjen e Rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ibrahim Gashi.

Por për profesorin e gazetarisë, ky subjekt politik tashmë ka punë tjera më të rëndësishme me të cilat do të duhej të merrej.

Duke qenë se Vetëvendosje drejton Komunën e Prishtinës, Krasniqi i ka sugjeruar një punë asaj: ta rregullojë çështjen e furnizimit të qytetit me ujë.

“Tash 14 orë nuk kemi asnjë pikë uji në lagjen tonë. Askush nuk njofton asgjë. Në kohën e Isa Mustafës, uji vinte në orën 7 e ndalej në orën 9 të mëngjesit, po së paku dhëmbët mund t’i lanim. Me këta tipat e vetëvendosur, më nuk arrijmë as dhëmbët t’i pastrojmë”.

“Por, “Vetëvendosjovitë” këto ditë e kanë në agjendë “rregullimin” e Universitetit të Prishtinës me metodat e tyre të njohura çartiste, e jo furnizimin e kryeqytetit me ujë. Sipas tyre, pa ujë bën. Veç pa puçe nuk bën”, ka shkruar Milazim Krasniqi sot në profilin e tij në Facebook.