Rrëfimi i mjekes kosovare që ndihmoi me barna të prekurit nga tërmeti

Tërmeti 6.4 ballë që goditi Shqipërinë në orët e hershme të 26 nëntorit, ku vdiqën mbi 50 persona dridhi zemrat e të gjithë shqiptarëve anekënd botës.

Lajme

03/12/2019 14:13

Situata me të cilën përballeshin qytetarët atje preku të gjithë.

Secili në mënyrën e vet që nga Forca e Sigurisë së Kosovës, Policia e deri tek qytetari i thjeshtë u mobilizuan për t’i dalë në ndihmë të prekurve nga kjo tragjedi.

Një iniciativë së bashku me kolegët e saj e ndërmori edhe doktoresha Dafina Krasniqi, e cila një ditë pas tragjedisë nuk qëndroi duarkryq.

Ajo për klankosova.tv tregon se si erdhi deri tek mobilizimi për të siguruar ndihmat që ishin kryesisht medikamente dhe gjësende për fëmijë.

“Ishte dita e mërkurë, një ditë pas tragjedisë. Po shikoja në rrjetin social Facebook. Aty lexova edhe lajmin në llogarinë tek një doktoreshë nga Tirana e cila kishte shkruar që nevojiten urgjent barna. Në ato momente edhe unë mendova të filloja iniciativë në ndihmë vëllezërve e motrave tona atje “.

“E kam kontaktuar Dr.Blerta nga Shqipëria ma ka konfirmuar që duhen urgjent medikamente mjekësore, veshmbathje për fëmijë dhe ushqim për bebe. Në ato momente kam publikuar një status në Facebook që unë do të udhëtoj në Shqipëri dhe kush ka mundësi për të më ndihmuar “.

“Kanë filluar komentet ku mundem, me të takuar me të ndihmuar? Dikush ofroj veshmbathje për fëmijë dikush tjetër ushqim. Dy donatorët më të mëdhenj që ma kanë lehtësuar punën shumë janë barnatore “Joni “Fushë Kosovë me pronar Shkumbin Jusufi, që ka dhuruar sasi të madhe barnash për pacientet në Spitalin e Durrësit. Mua më është lehtësuar puna edhe më shumë kur kompania Shell përkatësisht Teuta Kryeziu shprehën vullnetin të na heqin shpenzimet e derivateve “.

Pamjet që pa Dafina me të arritur në Durrës ia risollën në kujtesë luftën e para 20 vjetëve në Kosovë.

“Me të hyrë në Durrës pashë çdo gjë të rrënuar, vetëm disa mace e qen nëpër qoshe, aty këtu disa pleq. Ato hotelet që shkonim për pushime verës ishin të tëra të rrënuara. Thjesht mu kujtua koha e luftës në Kosovë “.

Mjekja nga Fushë Kosova thekson më tej se si nisën aksionin për shpërndarjen e ndihmave.

“Destinacionin e parë e kemi pasur në Spitalin e Durrësit, por pasi edhe aty tërmeti kishte bërë dëme, ishin evakuuar stafi mjekësor dhe gjithë pacientët nëpër pika të tjera të qendrave shëndetësore. Na priti Dr. Marjola e cila pa asnjë përtesë na shoqëroj deri tek Qendra Shëndetësore numër 2 në Durrës aty ku kishte nevojë për barna. Me lot në sy na priti stafi mjekësor aty duke na falënderuar për ndihmën. Gjithçka shkoi në mënyrë zyrtare pranim-dorëzimi i medikamenteve nga unë “.

“Duke u përqafuar i përshëndetëm dhe morëm rrugën për tjetrën pikë, ku na tha Dr.Marjola që ka nevojë. Tek “Salla e Kulturës” në Durrës. Në hyrje na pritën Dr.Ariani dhe Dr.Geraldina edhe i gjithë stafi që ishin mobilizuar aty tek të cilët vërehej lodhja dhe ishin dërrmuar por prapë të pandalshëm në ndihmë qytetarëve te tyre “.

“Filluam shpërndarjen e barnave për të cilat ajo pikë kishte nevojë. Fillimisht u përshëndetëm me vëllezërit dhe motrat tona tek të cilët kemi vërejtur një buzëqeshje të lehtë në fytyrat e tyre dhe një fije shpresë në sytë e tyre sa qëndruam aty. Sa emocionuese. Ndihmuam stafin aty për kontrollimin e të strehuarve. Tek dera duke dalë u takuam me zëvendësministren e Shëndetësisë Dr.Mira Rakacolli , cila na falënderoi pa mas dhe shprehi mirënjohjen e saj ndaj nesh “.

“Ne vazhduam rrugën për tek Hotel FAFA ku aty ishin strehuar shumë fëmijë dhe kishin nevojë për veshmbathje dhe ushqime. Pa ndalur dhe me plot vullnet për të ndihmuar kemi mbërritur së bashku me Dr.Majrolën e cila ishte me ne në çdo vend”.

“Tek dera e hotel FAFA-s qëndronin dy fëmijë duke luajtur me top. Na shikuan neve me qese në dorë me ushqim dhe na thanë “oh doktorët na kanë sjellë biskota”. “Trupi më është rrënqethur dhe pa mbërritur tek depoja ku ishte e caktuar për të dërguar ushqimin u ndala. Hapa qesën dhe iu dhashë ushqim, ndjenjë e papërshkrueshme”- tregon tejet e emocionuar doktoresha Dafina.

Krenare që pati mundësi sadopak të ndihmojë, ajo përshkruan edhe rrugën e kthimit për në Kosovë.

“Të dërrmuar morëm rrugën për Kosovë. Udhëtimit tonë iu bashkangjit edhe dr.Marjola e cila erdhi për t’i vizituar të prekurit nga tërmeti që ishin në sallën “1 Tetor”.