Rrëfimi i Leutrimit, 25 vjet pas luftës i gjeti eshtrat e babait

Pritja përfundoi pas 25 viteve. Lajmin që e priste e të cilin duke pritur u rrit, e pranoi të enjten e kaluar. Tash të paktën e ka një vend ku të vendosë lule e të shfryj mërzinë. Babën, Leutrim Hoxha, e mban mend shumë mirë. Për herë të fundit u ndanë në prillin e 99-s,…

Lajme

06/10/2024 20:07

Pritja përfundoi pas 25 viteve.

Lajmin që e priste e të cilin duke pritur u rrit, e pranoi të enjten e kaluar.

Tash të paktën e ka një vend ku të vendosë lule e të shfryj mërzinë.

Babën, Leutrim Hoxha, e mban mend shumë mirë. Për herë të fundit u ndanë në prillin e 99-s, këtu në kodrinat e fshatit Damanek, në Drenas. Që atëherë babanë Ramadanin e dinte të zhdukur.

“Saktësisht me datën nëntë, me 9 nëntor të vitit të kaluar e kanë gjetur trupin e pajetë të babait tim të vramë me një plumb në kokë tek ish fabrika e municionit në Prekaz”, ka thënë ai.

Pritja për një lajm ka qenë e gjatë dhe e rëndë. Vitet e pasluftës pos me barrën e ekzistencës, strehimit e shkollimit, Leutrimi i kaloi në kërkim të babës.

“Realisht ka qenë mjaft periudhë e rëndë, se na i ka hapur plagët e vjetra, por edhe faktikisht na ka lehtësuar shpirtërisht sepse tash e kemi shumë më të lehtë. Sepse nëse një ditë më merr malli e di ku e kam, vij e vizitoj, jo sikur deri tash që vetëm jemi lutur për të e iu kemi lutur Zotit dhe kemi shpresu”, është shprehur ai për RTV Dukagjini.

Ramadan Hoxha është një nga gjashtë personat, trupat e të cilëve janë zhvarrosur në Prekaz gjatë nëntori të kaluar.

“Nga të dhënat që ne i kemi poseduar është konfirmuar që nga aktiviteti i deritanishëm, janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet të 25 personave. Dhe në bazën e të dhënave që ne posedonim, viktimat e masakrës së Polacit. Pra 30 viktima nga kjo masakër kanë qenë të varrosur, kanë qenë të groposura në këtë lokacion”, ka deklaruar Kushtrim Gara – Kryetar i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit.

Hoxha është gjetur dhe zhvarrosur në Prekaz, vend ku për herë të dytë kishin nisur gërmimet për gjetjen e viktimave të masakrës së Polacit. 25 vjet pas luftës mbi 1600 persona ende mbeten të zhdukur, ndërsa aktualisht sipas Garës Serbia po refuzon të japë një datë se kur mund të nisin gërmimet në territorin e saj.