​Rrëfimet e grave nga Srebrenica, tri dekada në kërkim të drejtësisë

Tash e tri dekada po jetojnë për të vërtetën dhe drejtësinë. Ato janë zëri i Srebrenicës dhe simbol i tragjedisë që tronditi botën. 23 anëtarë të familjes së Shuhra Sinanoviq, janë viktima të gjenocidit të Srebrenicës. Ajo tregon për dhimbjen që po e përcjell tërë këto vite dhe pritjen e gjatë për drejtësi. “E dini,…

Lajme

08/06/2025 17:23

Tash e tri dekada po jetojnë për të vërtetën dhe drejtësinë. Ato janë zëri i Srebrenicës dhe simbol i tragjedisë që tronditi botën.

23 anëtarë të familjes së Shuhra Sinanoviq, janë viktima të gjenocidit të Srebrenicës.

Ajo tregon për dhimbjen që po e përcjell tërë këto vite dhe pritjen e gjatë për drejtësi.

“E dini, tash e 30 vjet po luftojmë për të vërtetën dhe për drejtësinë, që të gjithë kriminelët e luftës të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin që e meritojnë… Në gjenocidin e Srebrenicës kam humbur gjithsej 23 anëtarë të familjes, mes tyre edhe burrin tim të ndjerë. Ai kishte vetëm 32-vjeç, unë isha 29-vjeçare dhe mbeta nënë e vetme me dy fëmijë të vegjël. Ne duhet të flasim, pavarësisht se kanë kaluar 30 vjet nga fillimi i gjenocidit, dhe s’dihet sa do të durojmë ende. Por nuk do të ndalemi. Nuk jemi ndalur asnjëherë. Do të luftojmë deri në fund për të vërtetën dhe drejtësinë, që të zbulohen të gjitha varrezat masive, të ekshumohen të gjithë të zhdukurit tanë dhe të varrosen me dinjitet në Qendrën Përkujtimore në Srebrenicë – Potoçari”, rrëfen 60-vjeçarja për KosovaPress.

Shuhra, e cila është kryetare e Shoqatës së “Grave Podrinja” thotë se edhe pas kaq shumë vjetësh nuk është vendosur drejtësia.

“Për sa i përket familjes sime, familjes Sinanoviq, ende nuk kam marrë as minimumin e drejtësisë që dikush që i ka vrarë në mënyrën më të tmerrshme të jetë dënuar. Por kemi marrë një minimum të drejtësisë sepse kemi aktgjykime për gjenocidin, kemi edhe dënime me burgim të përjetshëm. Por e dini edhe vetë, po të mos ishte Gjykata e Hagës që të sillte aktgjykime për gjenocid, nuk do t’i kishim as ato. Por falë Zotit dhe falë qëndresës dhe luftës sonë gjithë këto vite, i kemi marrë ato aktgjykime për gjenocid. Dhe falë Zotit, vitin e kaluar u miratua edhe rezoluta që ndalon mohimin e gjenocidit. Dhe javën e kaluar morëm edhe aktgjykimin e parë për një person që ka mohuar gjenocidin, nga qyteti im i lindjes, nga Vratunci, dhe ai u dënua për mohimin e gjenocidit”, deklaroi ajo.

Anëtarja e shoqatës “Nënat e Srebrenicës”, Zijada Efendiq ishte 15-vjeçare në periudhën kur humbi vëllain në masakrën e Srebrenicës.

“Ne jetojmë me to (dhimbjen). Gjithmonë kemi kërkuar për të vërtetën. Në ditët, muajt dhe vitet e para pas gjenocidit, kemi jetuar me atë shpresë që të gjejmë mbetjet mortore të më të dashurve tanë, dhe kështu kalonin muajt dhe vitet. Thjesht, mësohesh me to dhe jeton me atë dhimbje, por kurrë nuk e kapërcen atë në të vërtetë. Ajo është diçka që është brenda nesh dhe do të mbetet derisa të jemi gjallë”, shprehet ajo.

Në Bosnje e Hercegovinë, më 11 korrik shënohet përvjetori i kësaj masakre ku më 1995 forcat serbe masakruan mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë. Kjo masakër u cilësua si më e ënda në Evropë qe nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Ndërkaq, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e ka njohur si gjenocid.

Presidentja Vjosa Osmani ka ndarë medalje presidenciale për “Nënat e Srebrenicës”, në edicionin e tretë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë që u mbajt kohë më parë në Prishtinë.