Rrahu mbesën sepse mori kajsia nga oborri i tij, gjykata vendos për të akuzuarin

 Gjykata Themelore në Mitrovicë, të premten, e ka dënuar me kusht të akuzuarin për veprën penale “lëndimi i lehtë trupor”, E.M.

Lajme

02/08/2019 17:52

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Bekimi Veliqi, i akuzuari është dënuar me 3 muaj burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën verifikuese prej një viti ai nuk kryen vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari gjithashtu është obliguar që në emër të ekspertizës mjeko-ligjore të paguaj shumën prej 20 euro, në emër të kompensimit të viktimave të krimit shumën prej 30 euro dhe për paushall gjyqësor shumën prej 20 euro.

Paraprakisht, E.M. e ka pranuar fajësinë për veprën që i vihet në barrë, duke thënë se në asnjë mënyrë nuk ka pasur për qëllim që mbesës së tij t’i shkaktoj lëndim apo shqetësim.

Me deklarimin e tij është pajtuar edhe prokuroja Jelena Marjanoviq, kurse mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Sabit Pllana ka kërkuar nga gjykata aprovimin e pranimit të fajësisë nga i mbrojturi i tij.

Ppërfaqësuesi ligjor i të miturës, babai i të dëmtuarës R.M, ka deklaruar se me të akuzuarin janë vëllezër, se kanë raporte të mira dhe se nuk është i mendimit që t’i jepet një dënim, sepse siç ka thënë ai edhe vajza e tij ka pasur pakëz faj.

E pas kësaj, gjykata ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit E.M.

Më pas është dhënë edhe fjala përfundimtare, me ç` rast prokurorja Jelena Marjanoviq i ka propozuar gjykatës që të pandehurit t’i shqiptoj dënim duke i vlerësuar të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

Ndërkaq, përfaqësuesi i të dëmtuarës, R.M është deklaruar se kjo ka qenë hera e parë dhe e fundit, duke kërkuar nga gjykata që sipas mundësive ta lirojë të pandehurin.

Kurse, avokati Pllana ka kërkuar nga gjykata që klientit të tij t’i shqiptohet një vërejte gjyqësore, pasi që siç ka thënë ai, duke marr parasysh deklarimin e përfaqësuesit ligjor të të dëmtuarës, rasti ka qenë i momentit dhe nuk ka ndodhur më asnjëherë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 18 prill 2018, E.M akuzohet se më 27 maj 2016, në shtëpinë e përbashkët familjare e cila gjendet në Vaganicë, Mitrovicë, i ka shkaktuar lëndim personit tjetër dhe atë mbesës së tij, vajzës së vëllait, R.M.

Bazuar në aktakuzë, ngjarja ka ndodhur ashtu që e dëmtuara kishte shkuar në shtëpinë e të pandehurit, axhës së tij, për të marr kajsia, e kur i pandehuri e sheh e pyet “pse ke marr kajsia pa më pyetur” dhe në shenjë revolte e godet me boksa dhe shqelma si dhe e tërheq zvarrë duke e larguar nga oborri, me ç` rast të dëmtuarës i shkakton lëndime të lehta trupore, me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin me veprën penale “lëndimi i lehtë trupor” nga neni 188 paragrafi 3 pika 3.1 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.