Rrahmani dhe Korenica konfirmojnë largimin nga VV tani në “Lëvizja për Familjen”: Jemi kundër Kodit Civil, pro familjes tradicionale

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Eman Rrahmani ka deklaruar se nuk kanë hequr dorë nga misioni për punë, por po bashkohen bashkë me deputetin Visar Korenica në një koalicion si “Lëvizja për Familjen”. Rrahmani tha se kanë pasur vërejtje të shumta në kuadër të VV-së si subjekt politik, por edhe si Grup Parlamentar. “Projektkodi Civil…

Lajme

01/10/2024 11:24

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Eman Rrahmani ka deklaruar se nuk kanë hequr dorë nga misioni për punë, por po bashkohen bashkë me deputetin Visar Korenica në një koalicion si “Lëvizja për Familjen”.

Rrahmani tha se kanë pasur vërejtje të shumta në kuadër të VV-së si subjekt politik, por edhe si Grup Parlamentar.

“Projektkodi Civil që në disa dispozita të tij cenon familjen tradicionale, Projektligji për shëndetin riproduktiv që tenton fertilizimin pa identitet të njohur që dërgon deri në incest e të mos flasim për familjen. Lejimi i ndërrimit të gjinisë madje edhe tek fëmijët dhe shumë aktivitete në ministrinë e Kulturës dhe të Arsimit na kanë obliguar që të mblidhemi dhe të mendojmë për shumë angazhime politike për familjen. Vazhdimi i ikjes i të rinjve, familjeve dhe punëtorëve profesionist është bërë barrë e madhe që e po rëndon Kosovën. Mosngritja e koeficientit në sektorin publik, paga e ulët minimale vazhdimi i nepotizmit e shumë dukuri të tjera gjatë kësaj periudhe që jemi munduar që të japim kontributin tonë përmes amandamentimeve që s’kanë gjetur asnjëherë përkrahje nga subjekti politik dhe gripi parlamentar”, tha Rrahmani.

Nëpërmjet kësaj konference ua bëjmë me dije se s’kemi hequr dorë nga misioni për punë dhe zhvillim.

“Ne po bashkohemi në një koalicion për familjen. Se bashku me dr Aganin kemi arritur që të bashkohemi për këtë kauzë, e me ekspertë të rinj të cilët i falënderoj për kontributin që po japin në mbështetje të kauzës për familje. Projektin tonë i propozuam edhe kryetarit të AKR-së Behgjet Pacolli i cili vendosi që t’i bashkohet kësaj kauze për familje, përkundër që kishte oferta nga subjektet të tjera zgjedhore. Ky koalicion sot prezantohet nga AKR edhe nga Bejtush Gashi. Tek ne ose ka bindje dhe rreshtim, ose s’mund të bëhet pjesë. Pra s’mund të bashkohet sa për përfitim, nëse s’e ka në bindje”, deklaroi ai./Lajmi.net/