Rrahman Jasharaj: 4 vite me Albin Kurtin, kanë qenë shumë të vështira për ne

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) po i përcjellë me vëmendje programet e partive politike sa i përket fushës së arsimit në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit. Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka deklaruar për IndeksOnline se partitë kanë bërë premtime të mëdha, të cilat shpreson të realizohen. “Ka…

Lajme

29/01/2025 10:07

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) po i përcjellë me vëmendje programet e partive politike sa i përket fushës së arsimit në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka deklaruar për IndeksOnline se partitë kanë bërë premtime të mëdha, të cilat shpreson të realizohen.

“Ka premtime gogja të mëdha që zgjojnë entuziazëm, presim që të realizohen. Besoj që kandidatët me ekipet e tyre nuk i japin këto premtime sa për t’i thënë, sepse 9 shkurti vjen shpejt dhe ne i arkivojmë çfarë thonë, për t’ua kujtuar kur vijnë në pushtet,” ka thënë Jasharaj.

Ai ka vlerësuar se shumica e partive kanë bërë përllogaritje të mira dhe premtime të arsyeshme, duke përjashtuar Lëvizjen Vetëvendosje.

“Kandidati për kryeministër nga PDK, Bedri Hamza, jam i bindur se i ka llogaritur mirë gjërat me ekipin e tij, duke marrë parasysh edhe përvojën e tij të mëhershme. Po ashtu, edhe kandidati i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe programi i tij duken të mirë. Njëjtë besoj edhe për koalicionin AAK-Nisma,” është shprehur ai.

Megjithatë, për Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Jasharaj ka pasur një qëndrim të kundërt.

“Nuk e përmenda Kurtin sepse katër vitet me të kanë qenë shumë të vështira. Ai është i zëshëm, por nuk bën asgjë konkrete. Nga përvoja jonë katërvjeçare, e kemi të vështirë të besojmë se do të bëjë diçka nëse merr edhe një mandat tjetër. Me të kemi pasur edhe mungesë të dialogut dhe nuk na ka lënë përshtypje pozitive,” ka thënë ai.

Punonjësit e arsimit në Kosovë vazhdimisht kanë shprehur pakënaqësi për pagat e tyre dhe shpesh kanë protestuar për rritjen e tyre. Ata shpresojnë që me formimin e qeverisë së re, të ketë lëvizje në këtë drejtim, pasi besojnë se meritojnë të ardhura më të mira financiare.