ROSCAP me thirrje për parlamentin që të refuzojë listën e re të Bordit të Agjencisë për Akreditim

Rrjeti i organizatave të shoqërisë civile për arsim parauniversitar ROSCAP i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që të mos votojë listën e propozuar për anëtarët e Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim. Organizatat theksojnë në thirrje se procesi në fjalë që ka prodhuar këta emra është i komprometuar në tërësi. “Pas kalimit të…

Lajme

25/04/2026 11:16

Rrjeti i organizatave të shoqërisë civile për arsim parauniversitar ROSCAP i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që të mos votojë listën e propozuar për anëtarët e Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Organizatat theksojnë në thirrje se procesi në fjalë që ka prodhuar këta emra është i komprometuar në tërësi.

“Pas kalimit të kësaj liste në Ministri, Qeveri dhe Komision Parlamentar, përgjegjësia përfundimtare tashmë bie mbi Kuvendin si instanca e fundit që mund të ndalë një vendimmarrje që rrezikon drejtpërdrejt pavarësinë e një institucioni kyç për arsimin e lartë në vend.

Në këtë proces është rikthyer edhe emri i Driton Velës, ish kandidat për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e vitit 2019, i cili në një proces të mëhershëm ishte diskualifikuar për shkak të deklarimeve të pasakta në aplikim”.

Sipas ROSCAP, “situata bëhet edhe më shqetësuese, duke marrë parasysh se i gjithë procesi është zhvilluar nën presion kohor, ndërkohë që sipas informacioneve të disponueshme, një version i raportit të komisionit është proceduar në Qeveri gjatë natës së 21 prillit, pa u respektuar standardet e transparencës dhe procedurat e rregullta. Kandidatët e refuzuar nuk kanë marrë njoftime zyrtare dhe nuk është respektuar afati ligjor për ankimim”.

“E gjithë kjo është justifikuar me pretendimin se Bordi i Agjencisë rrezikon të mbetet pa kuorum, ndonëse përbërja aktuale garanton funksionimin e tij edhe për të paktën dy vite të tjera. Ky arsyetim nuk qëndron dhe nuk mund të përdoret për të justifikuar një proces të përshpejtuar dhe të dyshimtë.

ROSCAP paralajmëron se votimi i kësaj liste nga Kuvendi do të përbënte ndërhyrje të rëndë në pavarësinë e Agjencisë së Akreditimit dhe do të rrezikonte drejtpërdrejt pozitën e saj në mekanizmat ndërkombëtarë të sigurimit të cilësisë, përfshirë ENQA dhe EQAR. Përvoja e viteve të kaluara ka treguar se ndërhyrjet politike në këtë institucion kanë pasoja të menjëhershme për kredibilitetin ndërkombëtar të arsimit të lartë në Kosovë”.

ROSCAP i bën thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të refuzojnë këtë listë dhe siç thonë të kërkojnë anulimin e këtij procesi, duke hapur rrugë për një procedurë të re, transparente dhe të bazuar në meritë. “Mbrojtja e pavarësisë së institucioneve të arsimit të lartë dhe ruajtja e standardeve akademike mbetet përgjegjësi e përbashkët dhe detyrim ndaj publikut”.